Real Madrid tronditet nga Getafe
Uran Krasniqi / RTKLive
Real Madrid ka bër një gabim që mund t`i kushtojë në garën për titull në LaLiga: është mposhtur 1-0 në shtëpi nga Getafe.
Skuadra mysafire ka marrë tri pikë në “Santiago Bernabeu” për herë të parë që nga viti 2008.
Golin e vetëm të ndeshjes e ka shënuar Martín Satriano, i cili ka realizuar një supergol me volej, pasi mbrojtja madrilene nuk ka arritur ta largojë si duhet topin nga zona.
Real Madrid ka pasur disa raste të mira në pjesën e parë. Vinicius Junior ka përfituar nga një gabim në mbrojtjen mysafire, por është ndalur nga portieri David Soria. Edhe Arda Guler e ka provuar me një goditje pranë shtyllës, por pa sukses.
Megjithatë, mysafirët janë treguar të organizuar dhe të vendosur në mbrojtje. Përveç golit të Satriano, ata kanë rezistuar deri në fund falë paraqitjes së portierit Soria dhe mbrojtjes së udhëhequr nga Domingos Duarte.
Në fund të ndeshjes, Franco Mastantuono i Real Madrid është ndëshkuar me karton të kuq për protestë, duke e shtuar zhgënjimin e vendasve.
Pas kësaj humbjeje, Real Madrid mbetet katër pikë prapa kreut të tabelës, pas fitores së Barcelonës 4-1 ndaj Villarreal.
Kjo fitore i ka dhënë frymëmarrje Getafe, që tani është tetë pikë larg zonës së rënies nga liga, me dymbëdhjetë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.























