Këshilli Shqiptaro-Amerikan shpreh shqetësim për krizën institucionale
Valbona Thaçi / RTKLive
Këshilli Shqiptaro Amerikan për Marrëdhëniet ka shprehur shqetësim të thellë për vazhdimin e krizës institucionale në Kosovë, e cila sipas tyre po zgjat më shumë se një vit.
Në reagimin e tij, Këshilli vlerëson se paaftësia e partive politike për të vendosur interesat kombëtare mbi agjendat partiake dhe rivalitetet personale ka zgjatur paralizën politike, në një kohë kur vendi duhet të forcojë institucionet demokratike dhe pozicionin e tij ndërkombëtar.
Sipas këtij organizimi, Kosova ka arritur përparim të rëndësishëm që nga shpallja e pavarësisë, falë sakrificës, vendosmërisë dhe partneriteteve të forta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën demokratike, progres që nuk duhet të rrezikohet nga pengesat politike apo dobësimi i institucioneve shtetërore.
“Në një mjedis global gjithnjë e më të pasigurt, Kosova duhet të dëshmojë se është partner i fortë, i përgjegjshëm dhe i besueshëm për aleatët e saj, ndërsa liderët politikë kanë për detyrë të sigurojnë funksionimin efektiv të institucioneve demokratike dhe t’i japin përparësi interesit kombëtar” thuhet në reagimin e Këshillit.
Këshilli u bën thirrje të gjitha partive politike dhe liderëve në vend që të veprojnë me urgjencë dhe përgjegjësi për t’i dhënë fund ngërçit aktual dhe për të rikthyer stabilitetin dhe funksionalitetin institucional në interes të qytetarëve të Kosovës.























