Lingard transferohet te Corinthians deri në fund të vitit 2026
BKT
Sport

Lingard transferohet te Corinthians deri në fund të vitit 2026

Uran Krasniqi/RTKLive

Mesfushori anglez Jesse Lingard është transferuar te klubi brazilian Corinthians, ku do të luajë deri në fund të vitit 2026.

Lajmi është konfirmuar nga klubi brazilian të premten.

Në njoftim thuhet se kontrata e Lingard mund të zgjatet automatikisht deri në fund të vitit 2027, nëse ai arrin disa objektiva të caktuara sportive.

Ai ka kaluar dy vitet e fundit te klubi korean FC Seoul, ku ka shënuar gjashtëmbëdhjetë gola.

Futbollisti anglez është produkt i akademisë së Manchester United, me të cilin ka fituar FA Cup, EFL Cup dhe UEFA Europa League.

Para se të transferohej në Korenë e Jugut në vitin 2024, Lingard kishte luajtur një sezon te Nottingham Forest, ku nuk ka arritur të shënojë gol apo të japë asist në shtatëmbëdhjetë paraqitje në Premier League.

Aktualisht, Corinthians renditet në vendin e tretë në kampionatin brazilian. Ndeshjen e radhës skuadra do ta luajë më 11 mars në shtëpi ndaj Coritiba.