Monaco befason PSG-në në Paris
Uran Krasniqi / RTKLive
Paris Saint-Germain ka pësuar një humbje të papritur në shtëpi, pasi është mposhtur me rezultat 3-1 nga Monaco në stadiumin "Parc des Princes".
Ndeshja ka nisur me raste për të dy skuadrat. Monaco ka rrezikuar që në fillim kur Denis Zakaria ka goditur me kokë mbi portë pas një asistimi të mirë nga Caio Henrique.
Skuadra mysafire ka kaluar në epërsi në minutën e njëzet e shtatë pas një gabimi të madh të mesfushorit të PSG-së Warren Zaire-Emery. Topin e ka fituar Folarin Balogun, i cili ka asistuar për Maghnes Akliouche, që ka shënuar për 1-0.
Në pjesën e dytë Monaco e ka dyfishuar epërsinë kur Aleksandr Golovin ka realizuar nga afërsia. PSG është rikthyer përkohësisht në lojë me golin e Bradley Barcola, por shpresat e vendasve janë shuar shpejt.
Folarin Balogun e ka vulosur fitoren e mysafirëve me një goditje nga distanca, duke shënuar golin e tretë për Monaco.
Pavarësisht humbjes, PSG mbetet në krye të tabelës në Ligue 1 me katër pikë epërsi. ndërkohë, Monaco ngjitet në vendin e pestë dhe rrit shpresat për kualifikim në Champions League.























