Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut,Rama mbledh sot grupin parlamentar
BKT
Shqipëri

Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut,Rama mbledh sot grupin parlamentar

rtsh

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të mbledhë sot në orën 10:00 grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

Në fokus të kësaj mbledhje do të jetë marrja e qëndrimit mbi kërkesën e prokurorisë për kufizimin e lirisë së Belinda Ballukut. Po ashtu, pritet që në mbledhjen e sotme të bëhet leximi i raportit të socialistëve në Këshillin e Mandateve lidhur me çështjen e Ballukut.

“Sot në 10.00 do të jemi LIVE në Grupin Parlamentar për marrjen e qëndrimit ndaj kërkesës së prokurorit për kufizimin e lirisë së Belinda Ballukut”, shkruan Rama në rrjetin social X.

Tri muaj më parë SPAK i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, e zgjedhur deputete në qarkun e Fierit në zgjedhjet e 11 majit.

Sipas njoftimit zyrtar, Balluku është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Ndërkohë disa ditë më parë, Partia Demokratike publikoi raportin e opozitës në Këshillin për Mandatet dhe Imunitetet lidhur me kërkesën e SPAK për autorizimin e Kuvendit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.

Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, kërkesa është shoqëruar me një relacion të arsyetuar dhe me provat e administruara, ndërsa prokuroria e ka marrë deputeten si person nën hetim dhe të pandehur pasi dyshohet se ka kryer 11 herë veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike”.


MË SHUME NGA Shqipëri