Rama dënon sulmet me raketa të Iranit ndaj Turqisë
Valbona Thaçi / RTKLive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas sulmeve me raketa balistike të Iran ndaj Turqisë, duke theksuar se Shqipëria e dënon këtë akt me forcën më të madhe.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama u shpreh se fakti që ky është sulmi i dytë i tillë brenda pak ditësh është jashtëzakonisht shqetësues dhe, sipas tij, thekson edhe më shumë natyrën agresive dhe destabilizuese të këtyre veprimeve.
“Shqipëria dënon me forcën më të madhe sulmin me raketa balistike të regjimit iranian kundër Turqisë. Fakti që ky është sulmi i dytë i tillë në ditët e fundit është jashtëzakonisht shqetësues dhe thekson edhe më shumë natyrën agresive dhe destabilizuese të këtyre veprimeve. Turqia është një vend mik, partner strategjik i Shqipërisë dhe aleat i çmuar i NATO-s”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se përpjekjet e regjimit iranian për të përhapur tensione dhe paqëndrueshmëri përmes sulmeve ndaj fqinjëve janë shumë të rrezikshme dhe mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, duke paraqitur kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
“Përpjekjet e regjimit iranian për të përhapur tension dhe paqëndrueshmëri përmes sulmeve të vazhdueshme ndaj fqinjëve të vet janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Veprime të tilla rrezikojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe paraqesin kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”, ka nënvizuar Rama.
Në reagimin e tij, kryeministri gjithashtu ka vlerësuar reagimin e shpejtë të NATO-s për mbrojtjen e territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës.
“Shqipëria vlerëson reagimin e shpejtë të NATO-s në mbrojtjen e territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës. Shqipëria qëndron fort krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë aleatët në mbrojtje të sigurisë dhe unitetit të Aleancës sonë”, ka theksuar ai.
























