Goditet grupi që trafikonte armë nga Mali i Zi, dy të arrestuar në Tiranë
Emine Hoti/RTKlive
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Rotondo”, pas një hetimi dy mujor për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit dhe shitjes së armëve të zjarrit.
Sipas Policisë në Shqipëri, gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë dy persona, D. J., 31 vjeç, banues në Shkodër dhe F. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Domje. Ata u ndaluan nga shërbimet e policisë në zonën e quajtur “Rrethi i Freskut”, ndërsa po lëviznin me një automjet tip “Volkswagen”.
Nga kontrolli në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi 6 armë zjarri (pistoleta), të dyshuara se ishin trafikuar nga Mali i Zi me qëllim shitjen kryesisht në zonën e Freskut.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan armët e zjarrit, automjeti si dhe 4 telefona celularë.
“Në vijim të hetimeve është identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe një bashkëpunëtor i dyshuar, shtetasi E. S. Policia po punon për kapjen e tij dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.























