Arbeloa: Real nuk ndihet inferior ndaj City edhe pa Mbappe
Uran Krasniqi/RTKLive
Trajneri i Real Madrid, Alvaro Arbeloa, ka deklaruar se skuadra e tij nuk duhet të ndihet inferiore ndaj Manchester City, edhe pse do të luajë pa disa lojtarë të rëndësishëm në ndeshjen e parë të 1/8 së finales së Champions League.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes që zhvillohet në stadiumin "Santiago Bernabeu", Arbeloa ka theksuar se madrilenët gjithmonë hyjnë në fushë me besim të plotë.
“Ne jemi Real Madrid dhe nuk mendoj se ndihemi ndonjëherë inferiorë ndaj askujt, pavarësisht rrethanave apo kundërshtarit që kemi përballë”, ka thënë ai.
Sipas tij, madrilenët e njohin mirë kundërshtarin dhe mënyrën e lojës së skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola, por kjo nuk i pengon të hyjnë në ndeshje me optimizëm.
Real Madrid do të jetë pa disa lojtarë të rëndësishëm. Përveç sulmuesit francez Kylian Mbappe, i cili ka një lëndim në gju, mungojnë edhe futbollistë si Jude Bellingham, Rodrygo, Eder Militao, David Alaba dhe Dani Ceballos.
Në sulm pritet të marrë më shumë përgjegjësi braziliani Vinicius Junior. Arbeloa ka theksuar se forma e tij do të jetë vendimtare për synimin e Real Madrid që ta eliminojë City.
“Na duhet më e mira prej tij nëse duam ta kalojmë këtë kundërshtar”, ka thënë trajneri madrilen.
Ndërkohë, Arbeloa pret që Guardiola të sjellë risi taktike në këtë përballje, duke theksuar se trajneri spanjoll “gjithmonë ka diçka të ndryshme për këto ndeshje të mëdha”.
Sa i përket Mbappe, trajneri i Real Madrid është shprehur optimist për rikthimin e tij. Sipas tij, sulmuesi francez po përmirësohet çdo ditë dhe tashmë ka nisur të vrapojë në qendrën stërvitore të klubit.























