Konjufca bisedon me Doughty për partneritetin Kosovë-Mbretëri e Bashkuar
BKT
Lajme

Konjufca bisedon me Doughty për partneritetin Kosovë-Mbretëri e Bashkuar

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Ministrin e Shtetit për Evropë dhe Amerikën e Veriut të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës Veriore, Stephen Doughty.

Bëhet e ditur se gjatë bisedës, Doughty ka uruar Konjufcën për detyrën e re dhe ka riafirmuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe aspiratat e saj ndërkombëtare. Konjufca ka theksuar falënderimin për përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në proceset e shtetndërtimit dhe për rolin e saj në forcimin e institucioneve demokratike dhe stabilitetit në vend.

Theksohet se gjatë diskutimeve janë trajtuar mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe koordinimi në çështje me interes të përbashkët.

“Partneriteti ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar mbetet një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit demokratik, sigurisë dhe avancimit ndërkombëtar të vendit tonë”, thuhet në njoftim. 


MË SHUME NGA Lajme