Kapen në flagrancë, në pranga të dyshuarit për fajde në Prizren
BKT
Lajme

Kapen në flagrancë, në pranga të dyshuarit për fajde në Prizren

Valmira Saraçi|RTKlive

Dy persona kanë përfunduar në pranga të policisë nën dyshimet për veprën penale “Fajde”. Ata janë kapur në flagrancë, thotë Policia e Kosovës, që sipas autorizimit nga Prokuroria Themelore në Prizren, sot organizuan këtë operacion.

Në njoftimin e përbashkët nga Policia e Prokuroria në Prizren, thuhet se nën presion dhe në emër të kamatës, të dyshuarit i kërkonin viktimës marrjen e pronave, vlera e të cilave, sipas tyre, është rreth 1 milion euro.

“Të dyshuarit me veprimet e tyre në vazhdimësi kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme të parave si interes për fajde, si dhe në emër të kamatave të fajdesë përmes formave të ndryshme të presionit, kanë kërkuar nga viktima marrjen e shtëpisë dhe dy lokaleve të tij në Prizren, vlera e te cilave është rreth 1 milion euro. Të dyshuarit janë arrestuar në flagrancë gjatë përpjekjes se tyre për ta detyruar viktimën në rregullimin e dokumentacionit për bartjen e pronësisë së shtëpisë dhe dy lokaleve pronë e viktimës”, bëhet e ditur në njoftim.

Gjithashtu, me urdhëresë nga gjykata është kontrolluar vendbanimi i dy të dyshuarve, me ç’rast bëhet e ditur se janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj te dyshuarve.

Po ashtu, bëhet e ditur se ndaj dy të dyshuarve E.K., dhe A.K., Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalim. 


MË SHUME NGA Lajme