Gjykata dënon me 1 vit burgim me kusht personin që kërcënoi gazetarët
Gentiana Kelmendi/RTKlive
Gjykata Themelore e Gjilanit ka shqiptuar një dënim prej një viti burgim me kusht për A.I, pas kërcënimit të gazetarëve dhe monitoruesve gjatë një seance gjyqësore. Lidhur me këtë ka njoftuar AGK.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK ka mirëpritur vendimin e marrë këtë të mërkurë për dënimin me një vit burgim të A.I pas kërcënimit ndaj ekipeve të gazetarëve dhe monitoruesve të Betimi për Drejtësi dhe Nacionale.
Sipas Gjykatës Themelore të Gjilanit, A.I “i është shqiptuar dënim me një (1) vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri brenda dy viteve nuk kryen vepër tjetër penale."
Rasti kishte ndodhur më 30 janar, kur A.I me një gjest si “ekzekutim” iu ishte drejtuar gazetares së Nacionales, Eriola Cacaj, kameramanit Drilon Namani dhe monitoruesit të Betimi për Drejtësi, Flamur Kabashi, gjatë një seance pronash në Viti.
AGK ka përshëndetur efikasitetin me të cilin Gjykata e ka trajtuar rastin dhe prioritetin e dhënë, duke shprehur besimin se kjo praktikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Gjithashtu, AGK ka mirëpritur Strategjinë e KGJK-së të miratuar në janar të këtij viti, që prioritizon rastet gjyqësore lidhur me shpifjen dhe sigurinë e gazetarëve dhe të anëtarëve të shoqërisë civile.























