Analistët e RTK-së: Real-Man City do të jetë një përballje e fortë
BKT
Sport

Analistët e RTK-së: Real-Man City do të jetë një përballje e fortë

Fatmir Bytyqi/RTKLive

Pas katër ndeshjeve të mbrëmshme, Liga e Kampionëve vazhdon sonte edhe më katër duele tjera të 1/8 e finales së garës më të madh në Evropë.

Padyshim kryesfida luhet në ‘Bernabeu’, atje ku Real Madridi i bën ‘konak’ Manchester City-t.

Madrilenët dhe ‘Qytetarët’ janë përballur shpesh në vitet e fundit në elitën e futbollit evropian.

Sfida e sotëm mes këtyre dy skuadrave të mëdha evropiane pritet të sjellë një tjetër duel të fortë mes tyre në ‘luftë’ për një vend në çerekfinale.

Analistët e RTK-së Arbnor Morina dhe Genc Sermaxhaj, në emisionin që i dedikohet Ligës së Kampionëve, shprehen të bindur se përballja mes Realit dhe Man City-t, do të prodhojë një ndeshje të madhe.

“Një ndeshje e nivelit kaq të madh po luhet herët dhe jo në finale. Por kjo është një plus sepse edhe ekipet e vogla mund të kenë mundësi të luajnë për titullin”, tha trajneri Arbnor Morina.

Ai shton se forma e skuadrave dhe mungesat do të jenë kyçe.

“Do të shihet se si Reali do të paraqitet me mungesat që ka, por edhe mënyra se si do të paraqitet City. Sonte do të jetë interesante të shohim rrjedhën e ndeshjes”, theksoi Morina.

Edhe Sermaxhaj pret një përballje dramatike mes Realit dhe Man City-t, sepse sipas tij, përballen dy gjigantët evropian.  

“Sonte përballen dy ekipe të mëdha evropiane. Reali ka histori të madhe dhe 15 tituj Champions, ndërsa City po përgatit historinë e vet. Njëra me formën shumë të mirë, tjetra cinike dhe e rrezikshme. Do të shohim një futboll shumë të bukur dhe të fortë”, ka theksuar Sermaxhaj.

Ndeshja Real Madrid – Manchester City fillon në orën 21:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt nga RTK.