BE reagon pasi Kuvendi refuzoi heqjen e imunitetit për Ballukun
BKT
Shqipëri

BE reagon pasi Kuvendi refuzoi heqjen e imunitetit për Ballukun

Gjeraqina Tuhina /RTK - Bruksel

Refuzimi i Kuvendit të Shqipërisë për të hequr imunitetin e ish-zëvendëskryeministres, Belinda Balluku, mund të rrezikojë progresin që vendi ka shënuar në përafrimin me Bashkimin Evropian.

Shqipëria theu rekordet në vitin 2025 duke hapur brenda një viti të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit, duke u pozicionuar menjëherë pas Malit të Zi si një nga liderët e procesit.

Vendi është në pritje të raportit të Komisionit Evropian për të parë nëse ka përmbushur standardet e përkohshme në kapitujt e sundimit të ligjit, çka do të hapte rrugën për mbylljen e kapitujve të negociatave.

Megjithatë, veprimi i fundit nuk kaloi pa u vënë re në Bruksel. Zyrtarët evropianë theksuan se angazhimi ndaj sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit mbeten thelbësore për procesin e anëtarësimit në BE.

“Sigurimi i një mjedisi të favorshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në reagimin e zyrës së shtypit të Komisionit Evropian.

SPAK-u ka kërkuar heqjen e imunitetit për Ballukun, e cila përballet me akuza për “shkelje të barazisë në tenderë” në një rast që lidhet me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogorasë.

Ajo gjithashtu është nën hetim për shtatë procedura të tjera prokurimi që lidhen me projekte infrastrukturore në Tiranë.

Kryeministri Rama e mbështeti vendimin, duke thënë se “pa asnjë diskutim këtë do ta bënte çdo parlament demokratik i Evropës”.

Zhvillimi vjen vetëm një ditë pasi komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, u takua me ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha, duke kërkuar angazhim të vazhdueshëm në sundimin e ligjit për të ruajtur momentumin e negociatave të anëtarësimit.


MË SHUME NGA Shqipëri