Rinia e PDK-së proteston para MPJ-së për `fotografinë e hedhur të Thaçit`
Medina Pasoma / RTKlive
Rinia Demokratike e Kosovës ka realizuar sot një aksion simbolik para Ministrisë së Punëve të Jashtme, si revoltë e hudhjes në tokë të fotografisë së ish-presidentit Hashim Thaçi në një dhomë të mbushur me gjësende.
Pjesëtarët e RDK-së kanë vendosur fotografi të Thaçit, të shoqëruar me disa nga momentet e karrierës së tij, nga lider i studentëve, bashkëthemelues i UÇK-së, kryesues i delegacionit shqiptar në Rambuje, deri te kryeministër i vendit.
“Mesazhi ishte i qartë: Fotografitë mund t’i gjuani, por historinë nuk mund ta fshini. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet sipas preferencave politike të kujtdo. Kontributi për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës është i dokumentuar në sakrificë, në vendime historike dhe në rrugëtimin e popullit tonë drejt lirisë”, thuhet në komunikatën e PDK-së, lidhur me këtë aksion të Rinisë Demokratike.
























