Konfirmohet edhe viktima e tretë nga Kosova në aksidentin në Vjenë
Naser Mekolli /RTKlive
(E plotësuar) Numri i viktimave nga Kosova në aksidentin tragjik në një kantier ndërtimi në Vjenë ka shkuar në tre.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka njoftuar se, sipas konfirmimeve të fundit, edhe viktima e tretë nga katër personat që humbën jetën është shtetas i Kosovës. Bëhet fjalë për Istref Zekajn.
Ky zhvillim vjen pas konfirmimit paraprak për dy viktima të tjera kosovare në këtë aksident, i cili ndodhi në distriktin Alsergrund, ku një pjesë e konstruksionit u shemb gjatë punimeve ndërtimore, duke zënë punëtorët nën rrënoja.
Ambasada ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe me familjarët e viktimave, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të procedurave të mëtejshme.
Në të njëjtën kohë, ajo ka shprehur edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, ndërsa ka premtuar informim të vazhdueshëm për çdo zhvillim të ri lidhur me rastin.
Ambasada e Kosovës konfirmon vdekjen e dy shtetasve tanë në Vjenë
Një aksident i rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë ka përfunduar me pasoja tragjike, ku kanë humbur jetën disa persona, përfshirë edhe dy shtetas të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Kosovës në Austri, ngjarja ka ndodhur në distriktin Alsergrund, gjatë zhvillimit të punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke zënë nën rrënoja punëtorë të pranishëm në vendin e punës.
Autoritetet austriake kanë konfirmuar se në mesin e viktimave janë Pajtim Bajrami (1990) dhe Asllan Musliu (1977), të dy shtetas të Kosovës.
Ambasada e Kosovës në Austri ka shprehur dhimbjen e thellë për këtë tragjedi dhe u ka përcjellë ngushëllime familjeve të viktimave. Po ashtu, bëhet e ditur se ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe është e angazhuar për të ofruar mbështetje për familjarët e të ndjerëve.
Autoritetet austriake janë duke vazhduar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.























