Protesta e opozitës në Shqipëri me molotovë e fishekzjarre
BKT
Shqipëri

Protesta e opozitës në Shqipëri me molotovë e fishekzjarre

RTKlive/ATSH

(E plotesuar) Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvilluan sot protestën e gjashtë kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë.

Kjo protestë kishte si simbolikë edhe 22 marsin e vitit 1992, që shënoi fitoren e PD-së në zgjedhjet pluraliste pas rënies së komunizmit.

Një pjesë e protestuesve u grumbulluan fillimisht pranë selisë së Partisë Demokratike, nga ku, së bashku me kryetarin Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të PD-së, marshuan drejt Bulevardit për t’iu bashkuar protestës.

Protesta e opozitës ishte pa foltore e pa fjalime, pasi sipas drejtuesve të PD-së kjo është një përgjigje ndaj kërkesave të qytetarëve dhe demokratëve që nuk duan fjalime, por një aksion konkret.

Mbështetësit e opozitës e nisën protestën duke hedhur fishekzjarre dhe molotovë në drejtim të godinës së Kryeministrisë.

Ndërsa forcat e Policisë kanë hedhur ujë dhe gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve.

Protestuesit e Partisë Demokratike u zhvendosën nga godina e kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt sheshit “Skënderbej” ku kanë hedhur molotovë dhe fishekzjarre në drejtim të godinës së Ministrisë së Punëve të Brendshme sikundër edhe në drejtim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkisë.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje të vazhdueshme protestuesve që të shmangin përdorimin e mjeteve piroteknike, të mos sulmojnë efektivët dhe të ruajnë qetësinë.

Pas mosrespektimit të këtyre thirrjeve, forcat e rendit kanë ndërhyrë duke përdorur mjete ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.

Mbështetësit e opozitës kanë sulmuar me molotovë edhe automjetet e policisë të vendosura përpara ndërtesës së Bankës së Shqipërisë. Ashtu si dhe në sulmet e tjera, protestuesit janë shpërndarë me hedhje të ujit dhe gazit lotsjellës.

Më pas protestuesit, të kryesuar nga kreu i PD-së Sali Berisha dhe deputetë të PD-së vijuan marshimin drejt zonës së ish-bllokut si dhe sheshit “Wilson” duke u kthyer në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Teksa ndodheshin pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) protestuesit hodhën molotovë në drejtim të policisë. Ndërkohë që Policia hodhi gaz lotsjellës dhe ujë në drejtim të protestuesve për t’i shpërndarë ata.

Protestuesit janë përplasur me efektivët pranë godinës së Kuvendit të cilët hodhën molotovë dhe fishekzjarrë ndaj tyre. Forcat e policisë u janë përgjigjur duke hedhur gaz lotsjellës dhe ujë duke mos i lejuar ata të shkojnë drejt godinës së Kuvendit.

Protesta e opozitës vijoi e tensionuar për rreth gati 3 orë mes përplasjeve me policinë dhe sulmit me molotovë e fishekzjarre ndaj institucioneve.

Berisha: I dhamë goditje diktaturës së sotme, protesta e radhës më madhështore

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi protestën e sotme një betejë të shkëlqyer, teksa paralajmëroi se protesta e ardhshme do të jetë edhe më e fuqishme.

Në fjalën e tij përpara godinës së PD-së, pas përfundimit të protestës, Berisha falënderoi mbështetësit e opozitës për guximin, trimërinë dhe qëndresën e tyre.

“Me guximin, trimërinë, qëndresën tuaj nderuat më shumë se kurrë këtë datë historike të kombit shqiptar, përmbysjen e diktaturës komuniste 34 vite më parë. Por, njëkohësisht i dhatë edhe goditjen më të merituar diktaturës së sotme. Ne zotohemi se nuk ka paqe në këtë vend me ata të cilët kanë vjedhur dhe vjedhin si hijena pasuritë publike të shqiptarëve dhe të pasurohen vetë”, nënvizoi Berisha.

Kreu i PD-së kërkoi sërish dorëheqjen e kryeministrit Rama.

“E patë vetë ju si e kishte rrethuar nga të katër anët me policë. Po ka rrethim që na pengon ne?! Prandaj, Edi Rama jep dorëheqjen sa më shpejt! Nuk ka paqe me Edi Ramën, ka vetëm betejë deri në largimin nga pushteti bashkë me hajdutët që e rrethojnë”, tha Berisha.

I pyetur nga gazetarët për incidentin gjatë protestës, ku deputetët e PD-së pretenduan se ai ishte goditur nga policia gjatë ndërhyrjes me ujë dhe gaz lotsjellës, Berisha tha se “ajo që bëri Edi Rama ishte një akt i shëmtuar, por ajo vetëm sa rrit vendosmërinë e kryengritësve paqësore për ta hedhur sa më shpejt në Lanë atë dhe regjimin e tij.
Ne jemi në një betejë dhe në këtë betejë ne nuk kemi të ndalur. Sot ne fituam një betejë, sot ne zhvilluam betejën më të bukur në tërë ekzistencën tonë, por edhe më madhështore dhe e fuqishme do të jetë ajo vjen”.

Berisha tha se protesta e ardhshme do të njoftohet shumë shpejt.

“Nuk ka paqe me Edi Ramën. Me Edi Ramën ka vetëm betejë gjer në largimin e tij nga pushteti së bashku me hajdutët që e rrethojnë. Ndaj dhe një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, ndaj të gjithë atyre qytetarë që u bënë zëri i Shqipërisë, zëri i kombit shqiptar me protestën e tyre. Le të vazhdojmë ne këtë betejë gjer në fitoren tonë të plotë”, tha Berisha.

Protesta e PD-së u mbyll pas më shumë se dy orësh marshim në rrugët kryesore të kryeqytetit, ku nuk munguan përplasjet me policinë, sulmi me molotovë dhe fishekzjarre ndaj Kryeministrisë dhe institucioneve si dhe ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës e ujë për shpërndarjen e turmës.


MË SHUME NGA Shqipëri