Hapet zyra rajonale e RTK-së në Pejë |VIDEO
Gentiana Kelmendi, Valbona Thaçi|RTKlive
Me një ceremoni të veçantë Radio Televizioni i Kosovës sot ka hapur zyrën rajonale në Pejë.
Ky projekt po realizohet fal ndihmës së Agjencisë japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, JICA, të cilët në vazhdimësi kanë mbështetur zhvillimin e transmetuesit publik.
Prerja simbolike e shiritit u bë nga drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla, ud. Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Hysen Hundozi, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri dhe Chigiru Yamashita, kreu i Zyrës JICA për Ballkanin.
Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, tha se ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në fuqizimin e pranisë së mediumit publik në rajonin e Dukagjinit.
“Faleminderit JICA-s dhe fondacionit NHK për donacionin dhe mbështetjen që kanë dhënë. Gjithashtu, dëshirojmë ta falënderojmë Komunën e Pejës për dhënien e kësaj hapësire në shfrytëzim afatgjatë, e cila do të shërbejë si zyrë për tërë zonën e Dukagjinit, pra për gjashtë komuna: Pejën, Gjakovën, Klinën, Deçanin, Istogun dhe Junikun. Më herët, të gjitha këto komuna i kemi mbuluar nga zyra qendrore në Prishtinë ”, deklaroi Gërvalla.
Ai tha se RTK-ja synon të jetë zëri i qytetarëve të Dukagjinit, duke ofruar mbulim më të afërt për zhvillimet në këtë rajon, si dhe duke vënë në pah potencialin e madh që kjo zonë ka për turizëm dhe natyrë.
Ud. Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Hysen Hundozi, e cilësoi hapjen e zyrës rajonale në Pejë si një ditë të rëndësishme për transmetuesin publik dhe qytetarët e Pejës e Dukagjinit, duke theksuar se kjo është zyra e tretë rajonale në nivel vendi dhe e dyta në rajonin e Dukagjinit.
“Sot është një ditë e rëndësishme për RTK-në dhe qytetarët e Pejës e të gjithë Dukagjinit".
"Zyra rajonale e RTK-së në Pejë është zyra e tretë rajonale në nivel vendi dhe e dyta në rajonin e Dukagjinit. Kjo dëshmon rëndësinë që ne në RTK i kushtojmë pranisë lokale në të gjitha pjesët e territorit të vendit tonë. Normalisht, një gjë e tillë nuk do të ishte e mundur pa përkrahjen e partnerëve tanë vendorë e ndërkombëtarë. Në këtë rast, falënderoj JICA-n dhe Komunën e Pejës. Falënderojmë popullin japonez që, falë tyre, kjo zyrë ka arritur të pajiset me teknologjinë më të fundit televizive, kurse Komunën e Pejës e falënderojmë për sigurimin e hapësirës pa pagesë për RTK-në", deklaroi Hundozi.
Ai tha se zyra e RTK-së në Pejë do ta nisë punën me një numër të kufizuar të të angazhuarve, por se synimi është që sa më shpejt t’i afrohet numrit optimal të të punësuarve, në mënyrë që ta përmbushë misionin dhe objektivat për të cilat është formuar.
Kreu i Zyrës së JICA-s për Ballkanin, Chigiru Yamashita, përgëzoi për inaugurimin e Zyrës Rajonale të Radio Televizionit të Kosovës në Pejë, duke e cilësuar atë si një arritje të rëndësishme dhe fryt të bashkëpunimit shumëvjeçar.
“Në emër të Zyrës së Japonisë JICA për Ballkanin ju përgëzoj përzemërsisht për këtë arritje të shkëlqyeshme. Për më shumë se dhjetë vite Japonia dhe Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar kanë ecur krah për krah me RTK-në, në bashkëpunim me NHK, duke këmbyer ekspertizën teknike për të përforcuar aftësinë e RTK-së për të ofruar informacion dhe transmetim të paanshëm e të drejtpërdrejtë”, tha Yamashita.
Ai theksoi se mbështetja ndaj RTK-së ka qenë privilegj dhe krenari, duke e konsideruar atë si një shtyllë qenësore të një shoqërie demokratike gjithëpërfshirëse. Sipas tij, inaugurimi i zyrës në Pejë është një nga frytet kryesore të këtij bashkëpunimi, ndërsa me funksionalizimin e saj pritet të përforcohet rrjeti informativ i RTK-së dhe besueshmëria e tij.
Yamashita nënvizoi se zyra e re do të shërbejë si platformë për prezantimin e historisë, kulturës, bukurive natyrore dhe dinamikës së rajonit, si dhe do të ketë rol kyç në grumbullimin dhe shpërndarjen e informatave emergjente në raste katastrofash, me qëllim mbrojtjen e jetës njerëzore dhe rritjen e rezistencës së popullatës. Ai shtoi se kjo zyrë do të inkurajojë angazhimin civil, do të nxisë aktivitetet ekonomike lokale, përfshirë turizmin, dhe do të pasurojë jetën kulturore në rajon.
Në fund, Yamashita shprehu shpresën që zyra rajonale në Pejë të jetë simbol afatgjatë i miqësisë dhe besimit ndërmjet Japonisë dhe qytetarëve të këtij rajoni, si dhe të shërbejë si një resurs i pazëvendësueshëm për Kosovën në vitet në vijim.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri shprehu falënderim për donatorin dhe Radio Televizionin e Kosovës për hapjen e kësaj zyre në Pejë.
"Mua më mbetet të falënderoj donatorin dhe Radio Televizionin e Kosovës që e kanë zgjedhur Pejën për të hapur këtë zyrë. Falënderimi kryesor shkon për Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, JICA, dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar që kjo zyrë të hapet. Ju dëshiroj punë të mbarë dhe lajme të mira nga Peja", tha Muhaxheri.
Ndërkohë koordinatorja e projektit RTK–JICA, Gentiana Begolli, theksoi se zyra rajonale do të ketë të njëjtin mision si dy zyrat e tjera, duke synuar afrimin sa më të madh me publikun dhe përfshirjen e tij në programet mediatike.
Ajo vuri në pah rëndësinë që ka përfshirja e publikut, duke theksuar se kjo është një vlerë e veçantë edhe për përvojën japoneze, ndërsa shtoi se bashkëpunimi me japonezët ka ndihmuar në kuptimin e rëndësisë së elementeve thelbësore në punë.
Begolli nënvizoi se përmes zyrave rajonale synohet të pasqyrohen më mirë shqetësimet e qytetarëve dhe jeta në zonat ku më parë nuk ka pasur mundësi të ketë prezencë të shpeshtë për shkak të kufizimeve teknologjike.
Keiichi Hashimoto, Këshilltar i Lartë i JICA, shprehu kënaqësinë për hapjen e zyrës së tretë rajonale në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e saj për të arritur të gjitha komunitetet, për të promovuar atraktivitetin kulturor, natyror dhe sportiv të zonës së Dukagjinit, si dhe për të mbështetur rivitalizimin e ekonomisë lokale dhe turizmin, duke funksionuar gjithashtu si një sy kritik i demokracisë.
"Ne mbështesim këtë aktivitet dhe dua t’ju përkujtoj që për mediat në përgjithësi është shumë më e rëndësishme që kjo zyrë rajonale të ketë një sy kritik kundrejt pushtetit lokal, pra të shërbejë si roje e demokracisë”, tha mes tjerash ai.























