Gjonbalaj dhe Shala optimistë për fitore të Kosovës në Bratislavë
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Kombëtarja e Kosovës në futboll sonte zhvillon njërën ndër sfidat më të rëndësishme në historinë e saj, teksa përballet me Sllovakinë në Bratislavë, në kuadër të gjysmëfinales së play-off-it për Kupën e Botës 2026.
“Dardanët” synojnë një rezultat pozitiv që do t’i afronte një hap më shumë drejt një kualifikimi historik, ndërsa ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Analistët e RTK-së në emisionin “Dardanët”, Malsor Gjonbalaj dhe Herolind Shala janë shprehur optimistë se Kosova mund të triumfojë në Bratislavë, ndonëse e pranojnë se përballja nuk do të jetë e lehtë.
Ish-reprezentuesi i Kosovës, Shala, vlerëson se mungesa e Leon Avdullahut mund të mbulohet nga Hoxha, i cili po kalon formë të mirë, megjithatë ai thekson se mungesat ndikojnë në balancin e skuadrës.
“Mungesa e Avdullahut në mesfushë është një mungesë e madh sepse bëhet fjalë për një lojtar me cilësi të larta, por është hoxha, i cili është formë të mirë dhe mund të mbulojë me sukses pozitën e Avdullahut”, ka thënë Shala.
“Gjithsesi këto mungesa ndikojnë, sepse ndryshon balanci i ekipit. Besoj se djemtë tanë tashmë marrë përvojë dhe do t’i mbulojnë më sukses pozitat e tyre”.
Shala shton se përfaqësuesja ka bërë përparim të madh krahasuar me vitet kur ai ishte pjesë aktive e saj.
“Ne kemi luajtur më shumë vështirësi. Tani lojtarët tonë luajnë në klube më të mira dhe është një botë tjetër”, ka theksuar Shala, duke shtuar se beson në fitore të Kosovës.
Në anën tjetër, Gjonbalaj thekson punën e madhe që është bërë për të arritur deri në këtë fazë dhe vlerëson përgatitjen e ekipit nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda.
“Për të arritur deri këtu është dashur punë e madhe. Me vjen mirë se mposhtja e inforiteti është kaluar. Në fillimet e para ka ardhur një shprehje se kush është kundërshtari, por tani këta djem janë pjekur dhe luajnë në nivele të larta dhe janë të gatshëm të luajnë kundër çfarëdo ekipi”, ka thënë Gjonbalaj.
“Sidoqoftë kjo është një ndeshje shumë e vështirë edhe nga pikëpamja psikologjike sepse me fitore ecim në finale dhe me humbje kthehesh në shtëpi. Ka ecje pozitive nën drejtimin e Fodës. Kjo ndeshje është shumë e vështirë, dhe unë shpresoj se ai këtë ndeshje e ka përgatitur më së miri”.
Ndeshja ndërmjet Sllovakisë dhe Kosovës fillon në orën 20:45.























