Seanca për Ademajn vazhdon e mbyllur me pyetje për jetën private të çiftit
Medina Pasoma / RTKlive
(E përditësuar) Seanca gjyqësore në të cilën i akuzuari për vrasjen e Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla jepte mbrojtjen e tij është mbyllur për publikun.
Kjo për shkak se trupi gjykues do të parashtrojë pyetje për jetën private në mes të viktimës Ademaj dhe bashkëshortit të saj, Naim Murselit.
Në ndërkohë gjatë dhënies së mbrojtjes, Kokalla tha se për vrasjen e Liridona Ademajt e kishte marrë lajmin nga portalet. Sipas tij, në momentin kur ka ndodhur ngjarja ai ka qenë në shtëpinë e tij dhe fillimisht informacionet e para i ka pasur se bëhej fjalë për një grabitje. Gjithnjë sipas Kokallës, më vonë e kishte kuptuar që bëhej fjalë për vrasje dhe kishte shkuar te familja Ademaj për t’i qëndruar pranë.
Kokalla për vrasjen e Ademajt: S’kam bërë marrëveshje me Murselin e Plavën
Kushtrim Kokalla, njëri nga të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, ka mohuar të ketë bërë marrëveshje me dy të akuzuarit e tjerë, Naim Murselin e Granit Plavën. Ai tha se të dy familjet, Murseli e Ademaj kanë qenë në dijeni për problemet ndërmjet çiftit në fjalë.
Sipas mbrojtjes së tij në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ai nuk është takuar me ta për motivin e vrasjes së Ademajt.
“Unë nuk jam takuar me ta, as me Granitin, e as nuk kam bërë asnjë marrëveshje. Nuk kam pasur asnjë lidhje me këtë far punë, as që e kam takuar Naimin me Granitin për kryerjen e veprës”, tha Kokalla, në replikën e tij ndaj pyetjes së avokatit të tij, Ndrecë Dodaj.
Gjatë mbrojtjes së tij, Kushtrim Kokalla tha ka qenë i njoftuar për problemet që çifti Naim Murseli e Liridona Ademaj kanë pasur mes veti. Sipas tij, "problemet e Naimit dhe Liridonës, i ka ditë edhe familja Ademaj edhe familja e Naimit".
Kokalla më tej ka thënë se arsyet e takimit me Murselin kanë qëndruar për ta mbajtur ky i fundit afër, meqë kanë pasur një përfshirje në një kredi. “Arsyeja ka qenë sa me më mbajt afër për shkak se më herët kam marrë kredi 25 mijë që më ka kërkuar Naimi dhe ajo ka qenë arsyeja me më mbajt më afër”, tha ai.
I akuzuari deklaroi se në dhënien e parë të deklaratës në Polici më 1 dhjetor 2023, është intervistuar nga katër deri në pesë hetues, të cilët i kanë thënë që ai (Kokalla) është personi kyç që ka bërë skenarin e vrasjes.
“Më thanë që ti je kryesori ne këtë punë edhe pse s’e ke ngreh gishtin, ti e ke bërë të gjithë skenarin, është në interesin tonë dhe tuajin që të na tregosh si e ke bërë skenarin”, ka thënë Kokalla.
Vazhdon gjykimi në rastin e Ademajt, sot jep mbrojtjen Kokalla
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca gjyqësore që trajton rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Sot para trupit gjykues të përbërë nga kryetarja Fatime Dermaku e anëtarët Gent Beka dhe Alban Ajvazi, jep mbrojtjen e tij njëri nga të akuzuarit, Kushtrim Kokalla.
Dje bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli gjatë mbrojtjes së tij u ballafaqua me pamje të së ndjerës në vendin e ngjarjes së rastit. Ai mohoi që ka qenë i njoftuar për lëndimet që ka pasur viktima Ademaj në dorën e saj të majtë, duke thënë se ai nuk ka qenë në veturë bashkë me fëmijët. Ai pranoi se kishte blerë armën së bashku me Granit Plavën, me pretendimin se Plava do ta shiste më pas, duke sqaruar se nuk do të përfitonte asgjë dhe se nuk e dinte që me atë armë do të vriste bashkëshorten e tij. Pas ngjarjes, Murseli qëndroi në Prishtinë sipas urdhrit të policisë.
Ndërkaq i akuzuari tjetër, Granit Plava deklaroi se kishte bërë marrëveshje me Naim Murselin që të merrte përsipër autorësinë e vrasjes së Liridona Ademajt. Atij iu është premtuar nga ky i fundit, se pas dy vitesh do ta lironte nga çelia e burgut.
“Asnjëherë nuk më ka tregu kush është personi (viktima), edhe më ka thënë veç ki me marrë përgjegjësi ti, kurrgjë tjetër. Unë pa u bërë dy vjet të nxjerri prej burgu, e di çfarë pushteti kam”, tha Plava.
Plava deklaroi se Murseli i kishte premtuar përfitime 250 mijë euro në kohën kur do ta mbante burgun, një punë me pagë 1300 euro si dhe të mira të tjera materiale.























