Kosova - Turqia, nga miqësorja te finalja për Botëror
BKT
Sport

Kosova - Turqia, nga miqësorja te finalja për Botëror

Shkumbin Osmanaj/RTKlive

Kosova dhe Turqia përballen sërish, më shumë se një dekadë pas ndeshjes së parë mes tyre, një miqësore e vitit 2014 që shënoi fillimet e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Kjo përballje ishte vetëm ndeshja e dytë e lejuar ndërkombëtarisht për Kosovën, pasi në janar të atij viti FIFA kishte dhënë dritën e gjelbër për zhvillimin e miqësoreve. Dy muaj më herët, Kosova kishte debutuar me barazimin 0-0 ndaj Haitit.

Në fushë, përballë një kundërshtari të konsoliduar e me lojtarë cilësorë si Turqia, dallimi ishte i dukshëm dhe ndeshja përfundoi 1-6 në favor të mysafirëve. Megjithatë, ajo që mbeti në histori ishte goli i parë i Kosovës në një ndeshje ndërkombëtare, gol ky i realizuar nga Albert Bunjaku.Në atë kohë, ekipi i Kosovës ishte ende në ndërtim, me lojtarë që vinin nga liga dhe shtete të ndryshme, ndërsa mungonin përvoja dhe struktura që sot konsiderohen standard. Pavarësisht humbjes, ndeshja u pa si një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të ekipit kombëtar.

Për më tepër, përballja kishte edhe një simbolikë të veçantë, pasi jo të gjitha shtetet ishin të gatshme të luanin ndaj Kosovës në atë periudhë. Ndeshja me Turqinë u konsiderua poashtu si një moment mbështetjeje dhe njohjeje në arenën sportive.Ky rrugëtim mori kthesë vendimtare në vitin 2016. Më 13 maj, FIFA pranoi Federatën e Futbollit të Kosovës si anëtare me shumicë votash. Në Kongresin e FIFA-s, ku anëtari i Komitetit Ekzekutiv dhe njëkohësisht nënkryetari i UEFA, Senes Erzik, mbajti fjalën hapëse, Kosova u pranua me 141 vota pro dhe 23 kundër, duke u bërë anëtarja e 210-të e FIFA-s. Disa ditë më herët, më 3 maj, Kosova ishte pranuar edhe në UEFA.

Pas pranimit ndërkombëtar, përballjet mes dy kombëtareve vazhduan në një tjetër nivel. Ndeshja e parë zyrtare mes Turqisë dhe Kosovës u zhvillua më 12 nëntor 2016 në Antalia, ku Turqia fitoi 2-0 në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2018. Një vit më vonë, më 11 qershor 2017 në Shkodër, Turqia shënoi tjetër fitore, kësaj radhe me rezultat 4-1.

Sot, më shumë se një dekadë më vonë, kjo histori hyn në një kapitull të ri. Kosova pret Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, por tani në një përballje me peshë krejt tjetër: fituesi siguron biletën për Botërorin 2026.