Milori: `Sot mund të shkruhet historia për një skuadër shqiptare`
BKT
Sport

Milori: `Sot mund të shkruhet historia për një skuadër shqiptare`

Uran Krasniqi / RTKLive

Analisti sportiv nga Tirana, Arben Milori, ka deklaruar se ndeshja e sotme mes Kosovës dhe Turqisë mund të hyjë në histori për futbollin shqiptar.

I ftuar në RTK për ta analizuar ndeshjen Kosovë–Turqi, finale e “play-off” për Botërorin 2026 që zhvillohet sonte në Prishtinë, Milori ka thënë se ekziston një mundësi reale që një skuadër shqiptare ta sigurojë pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026.

“Sot mund të shkruhet historia, ku një skuadër shqiptare shkon në Botëror. Djemtë kanë treguar se dinë ta menaxhojnë veten emocionalisht dhe psikologjikisht. Në ndeshjen me Sllovakinë ata ishin dy herë në disavantazh dhe e përmbysën rezultatin”, është shprehur ai.

Sipas tij, kjo ndeshje ka rëndësi të veçantë për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për Kosovën si shtet i ri.

“Për ne shqiptarët, kudo që jemi, posaçërisht për shtetin e ri të Kosovës, do të jetë shumë e rëndësishme që të fitohet ndeshja”, ka theksuar Milori.

Duke folur për kundërshtarin, ai ka vlerësuar cilësitë e Turqisë, por ka nënvizuar se loja e tyre mbështetet në disa futbollistë kyç.

“Turqit kanë ekip të mirë, por e bazojnë ndeshjen tek dy-tre futbollistë. Nëse ne arrijmë t’i neutralizojmë taktikisht dhe të jemi të përqendruar në eliminimin e rrezikut që vjen prej tyre, atëherë do ta arrijmë synimin”, ka shtuar ai.