Kurti: Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete
Valmira Saraçi|RTKlive
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, tha se vullnetit i popullit nuk anulohet me dekrete. Shefi qeveritar tha se dekreti i lëshuar nga presidentja ishte në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës dhe ka krijuar një situatë, sipas tij, e cila kërkon qartësi e jo konfuzion, dhe përgjegjësi e jo shmangie.
“Shpërndarja e Kuvendit nuk është instrument për të tejkaluar vështirësitë politike dhe mbi të gjitha është vërtetuar e dëshmuar edhe nga Kushtetuesja tani që presidenti nuk mund të shpërndajë vullnetin e popullit, as në presion të afateve e të paqartësive kushtetuese. Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete dhe rrjedhimisht as nuk shpërndahet. Tani pas qartësimit dhe vërtetimit të kësaj të vërtete të pamohueshme, sot nuk kemi një boshllëk institucional para nesh, por kemi një detyrë të qartë”, tha ai.
Kryeqeveritari shtoi se vazhdimi i punës së institucioneve është më konkret se kurrë e më i nevojshëm se asnjëherë më parë.
“Rruga para nesh nuk duhet të jenë pengesat, inatet apo refuzimet për të ecur përpara, por çka pritet prej nesh është miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, agjenda legjislative që e përmirësojnë përditshmërinë e qytetarëve, politika publike në dobi të brezave që vijnë e që kërkojnë konsistencë e siguri juridike, dhe të gjitha këto nuk mund të mbahen peng të një krize të prodhuar politikisht. Vullneti i popullit ishte shprehur me 28 dhjetor në zgjedhje të lira e demokratike, tash ne duhet të flasim për vullnetin tonë për t’i shtyrë përpara punët e mira për qytetarët”.
Ai tha se qytetarët presin që të procedohet sa më shpejt m Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. “Sepse lufta kundër korrupsionit nuk është një kapitull që hapet e mbyllet sipas nevojës politike , por është një vijë e pandërprerë që e ndanë drejtësinë nga padrejtësia, diçka që qytetarët pa dallim politike e mirëpresin”, tha Kurti
Ai tha se çdo cent i keqpërdorur nga zyrtarët publik duhet t’i kthehet qytetarit.
"Nëse qytetari i zakonshëm duhet të japë llogari për çdo cent që e fiton, atëherë edhe ai që është pasuruar në mënyrë të pajustifikueshme duhet të japë përgjigje për çdo euro që ka abuzuar. Këtë nuk e bëjmë si një akt hakmarrje, por si një akt barazie. Sepse një shtet që nuk i dënon të fortit e padrejtë, në fakt i braktisë të dobëtit çdo ditë”, deklaroi Kurti.
Kurti: Së shpejti në Kuvend projektligji për Çmimet Tavan
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se së shpejti në Kuvend do ta sjellin Projektligjin për Çmimet Tavan, derisa ka kërkuar mbështetjen e partive opozitare, sepse tha se i njëjti mbron nga abuzimi me çmime të larta të gjithë qytetarët.
Kryeqeveritari tha se nëse shteti duhet të jetë i drejtë në ekonomi, ai duhet të jetë po aq i drejte në hapësirën publike.
“Hapësira publike është e të gjithëve, që do të thotë i asnjërit me emër të përveçëm, dhe këtu hyn një tjetër çështje që nuk mund të anashkalohet. Një demokraci nuk jeton vetëm nga vota qytetare, por edhe nga fjala e thënë. Dhe kjo duhet të jetë e lirë për të qenë e vlefshme. Por, fjala nuk mund të jetë e lirë nëse është e kapur nga interesa të fshehta”, tha kryeministri.
Kurti: Pavarësia e mediave nuk mund të ndërtohet mbi fshehtësi që financojnë shpifjen dhe dezinformimin
Ai tha se raportimet për financime me thasë parash, nuk janë vetëm një problem i etikës profesionale, por, sipas tij, një kërcënim i drejtpërdrejt për integritetin e debatit publik.
“Sepse kur paraja hynë në mënyrë të padukshme, ajo nuk blenë vetëm hapësirë mediatike, ajo blen ndikim, orienton narrativën dhe në fund deformon perceptimin e qytetarit. Një qytetar i dezinoformuar, nuk është qytetar i lirë, ai është i manipuluar dhe siç tregojnë edhe raportet, ky manipulim po vjen direkt nga armiqtë tanë, që fatkeqësisht po gjejnë argatin e tyre edhe brenda vendit tonë. Ne nuk kemi asnjë interes t’i kufizojmë mediat, përkundrazi kemi interes që ato të jenë më të forta, më të pavarura, më hulumtuese, më kritike, por pavarësia nuk mund të ndërtohet mbi fshehtësi që financojnë shpifjen dhe dezinformimin. Liria editoriale duhet të jetë e garantuar, por ajo duhet të shoqërohet me transparencë të plotë të pronësisë dhe financimit”, shtoi tutje Kurti.
Kryeministri në fjalën e tij para ligjvënësve, tha se qytetarët duhet ta dinë se kush flet, në emër të kujt flet, dhe me çfarë burimesh flet dhe nga kush financohet.
“Nëse secili biznes tjetër jep përgjegjësi për financat dhe burimet e tij, mediat gjithashtu duhet të jenë në të njëjtin nivel të përgjegjësisë. Kjo e mbron qytetarin nga manipulimi e dezinformi, por edhe i mbron gazetarët dhe mediat e ndershme që raportojnë e informojnë me burime të sakta dhe financa të gjurmueshme”.
Kurti deklaroi se Ligji për KPK-në që do ta përcjellin në Kuvend nuk është për të kontrolluar mediat, por për të mbrojtur atë nga kapja.
“Censurë është pengesa e lajmit të drejt, jo e lajmeve të pavërteta me financime të dyshimta. Dhe një demokraci që nuk e sheh këtë rrezik me kohë, rrezikon të humbasë lirinë pa e kuptuar, dhe me të njëjtën logjikë ka vepruar edhe BE-ja kur ka mbyllur transmetimin e portaleve dhe televizioneve ruse. Nëse në diktatura të dikurshme kontrolloheshin rezultatet, sot nga oligarkia ka rrezik të kontrollohen premisat në mënyrë që të manipulohen rezultate”, tha Kurti.























