Shënohet 45-vjetori i Demonstratave të vitit 1981
Valbona Thaçi / RTKLive
Departamenti i Historisë në Fakulteti Filozofik ka shënuar sot 45-vjetorin e demonstratave të vitit 1981.
Dekani i fakultetit Bekim Baliqi, tha se demonstratat e vitit 81’ janë të pandashme me historinë kombëtare. Sipas tij, ato kanë pasuruar ambiciet për liri dhe pavarësi dhe për një dinjitet njerëzor si dhe kanë luajtur rol kyç me ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe në zhvillim politik të më tejshëm në Kosovë.
Baliqi tutje u shpreh se roli i studentëve sot mbetet po aq jetik, por sfidat kanë ndryshuar në vend të luftës kundër pushtuesit, siç tha, tani kemi luftën kundër forcave të ndryshme antidemokratike, rrymave autoritare e shumë sfidave të tjera.
"Kjo kërkon jo vetëm kujtim por edhe veprim, të nxiten debate kritike, të mbahen gjallë kujtesa kolektive dhe të mbrohen me krenari vlerat kombëtare edhe ato demokratike”, tha ai.























