Lahm: Gjermania rrezikon të ndjekë rrugën e Italisë
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Ish-kapiteni i Bayern Munich dhe përfaqësueses së Gjermanisë, Philipp Lahm, ka ngritur alarmin për drejtimin që po merr futbolli gjerman, duke theksuar se ekziston rreziku i humbjes së kontaktit me elitën ndërkombëtare.
Kampioni i botës në 2014, ka bërë këto deklarata në një shkrim për të përditshmen britanike “The Guardian”, ku analizon formën aktuale të klubeve evropiane.
“Italia ka mbetur prapa. Nëse Gjermania vazhdon në këtë rrugë, na pret edhe ne i njëjti fat”, – shkruan Lahm.
Sipas tij, paraqitjet e dobëta të klubeve gjermane dhe italiane në UEFA Champions League janë një sinjal alarmi për të ardhmen.
Një nga shqetësimet kryesore të ish-mbrojtësit lidhet me rikthimin e mbulimit klasik “një për një”, një taktikë që ai thotë se po përdoret gjithnjë e më shpesh në Bundesliga.
“Më çudit fakti që kaq shumë mbrojtës e ndjekin kundërshtarin e tyre deri në banjë. E bën madje edhe Bayern Munich”, – thekson ai me ironi.
Lahm vëren se kjo qasje është rikthyer në vëmendje falë suksesit të Atalanta, e cila fitoi UEFA Europa League 2024 duke aplikuar këtë stil loje.
Në përfundim, ish-ylli gjerman nënvizon se futbolli modern kërkon fleksibilitet taktik dhe inovacion të vazhdueshëm, duke paralajmëruar se pa këto elemente, edhe Gjermania mund të përjetojë rënien që ka prekur tashmë Italinë.























