Ndalohen dy punonjës të Postës së Serbisë në veri të Kosovës
Afet Bela|RTKLive
Dy persona janë ndaluar në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se si punonjës të Postës së Serbisë shpërndanë dërgesa postare paligjshëm.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se ata janë të dyshuar për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
“Dyshohen për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Kanë qenë duke bartur letra për qytetarë, kryesisht vendime që vijnë nga gjykatat serbe, kadastra, etj”, ka thënë Elshani për RTKLive. Ai shtoi se të ndaluarit janë liruar pas marrjes në pyetje dhe se me këtë rast tani po merret Departamenti për Krime Ekonomike.
Edhe Petrit Fejza, shef i Operativës Rajonale në Mitrovicë të Veriut, tha për RTKLive se me rastin janë duke u marrë Krimet Ekonomike.
“Kemi pranu informatë që dy persona janë duke shpërnda dokumentacione të ndryshme, vendime nga gjykatat, edhe ato janë prej shtetit të Serbisë, policia i ka ndalu, ka gjetë dokumentacion afër tyre, ka mbet që Krimet Ekonomike me hap rast. Të njëjtit janë liruar me procedurë të rregullt”, tha Fejza.























