Kriza për zgjedhjen e presidentit të Kosovës diskutohet në RTK Prime
Emine Hoti/RTKlive
Mbeten vetëm tri javë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur ende të dakordohen për një kandidat të përbashkët. Panelistët në RTK Prime paralajmërojnë se në mungesë të konsensusit, vendi mund të përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme. Megjithatë, disa theksojnë se ende ka hapësirë për të gjetur një zgjidhje konsensuale, përkundër tensioneve dhe interesave të ndara partiake.
Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, tha se të gjitha elementet e dërgojnë vendin drejt zgjedhjeve. “Nuk ka pasur alternativë tjetër, përveç ish-presidentes. Kushtetuta është e qartë: nëse nuk zgjidhet presidenti, vendi shkon në zgjedhje,” tha ai.
Kryeziu shtoi se situata mund të zgjidhet brenda një ore, por sipas tij, partitë nuk duan ta zgjedhin. “Do të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme, gjë që nuk do ta kisha preferuar. Ka edhe probleme të tjera, siç janë problemet në botë,” deklaroi ai.
Publicistja Fatime Hajdari tha se ende ka kohë për të gjetur zgjidhje. Ajo vlerësoi se është e mirëseardhur çdo tentativa për gjetjen e një konsensusi, e cila nuk është problematike. “Emra mund të gjenden, edhe ata konsensualë,” tha ajo.
Ndërsa publicisti Sadik Zeqiri theksoi se përgjegjësia për takime me partitë opozitare bie mbi fituesin e zgjedhjeve, që ka 67 vota.
“Zoti Kurti është i interesuar të shkojë në zgjedhje, po ashtu edhe zoti Abdixhiku, pasi zonja Osmani, nëse i bashkohet LDK-së, pret rritje,” tha ai.
Politologu Melazim Koci vlerësoi se deri tani nuk ka pasur përpjekje serioze për të gjetur një zgjidhje politike.Ai shtoi se Kosova ka njerëz konsensualë për të qenë president, por votat e LDK-së nuk janë të sigurta.























