Analistët e RTK-së: Barça-Atletico, duel i fortë në ‘Camp Nou’
BKT
Sport

Analistët e RTK-së: Barça-Atletico, duel i fortë në ‘Camp Nou’

Fatmir Bytyqi/RTKLive

Përballja mes Barcelonës dhe Atletico Madridit, që zhvillohet sonte në “Camp Nou”, konsiderohet kryesfida e çerekfinaleve në Ligën e Kampionëve.

Dy skuadrat spanjolle pritet të dhurojnë një ndeshje të madhe, duel që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Përballjet mes katalonasve dhe madrilenëve tradicionalisht karakterizohen nga intensiteti i lartë dhe dramatik deri në minutat e fundit, dhe një ndeshje e ngjashme pritet edhe sonte, me të dy ekipet që synojnë avancimin në gjysmëfinale.

Analistët e RTK-së, Gani Sejdiu dhe Enis Zaberxha, vlerësojnë se kjo përballje do të jetë një nga më të fortat e këtij edicioni.

Trajneri i njohur kosovar Gani Sejdiu mendon se dueli mes këtyre dy skuadrave të mëdha spanjolle do të jetë shumë i luftuar, duke i dhënë një avantazh të lehtë skuadrës madrilene.

“Vërtetë kohën e fundit këto dy skuadra kanë pasur përballje të shumta, por kjo përballje kjo është e rëndësishmja. Një përballje që është një moment ku të dy skuadrat kanë objektiv kalimin në gjysmëfinale”, ka thënë Sejdiu.

“Kemi dy ekipe ku një përparësi në këto dy takime i dha Atletico Madridit për arsyen se është një ekip që në krahasim më vitet tjera ku është karakterizuar si skuadër agresive, që nuk prodhon lojë, por që është e dhunshme në kuptimin sportiv, mirëpo, këtë sezon kemi një progres në lojën e Atleticos, dhe tashmë kemi një ekip që sakrifikon shumë në lojë. Tash trajneri Diego Simeone ka futur shumë kreativitet në lojë dhe tash Atleticon kemi dëshirë ta shohim. Një skuadër që ka futur shumë cilësi, teknik dhe kreativitet dhe tashmë është një skuadër që prodhon lojë, krijon shumë raste dhe është një ekip që është vështirë t’i rezistosh”, ka deklaruar strategu mitrovicas.

Ndërkohë, ish-futbollisti i njohur kosovar Enis Zaberxha vlerëson se aktualisht këto janë dy skuadrat më të forta në Spanjë, por Barcelonën e sheh si më të favorizuar.

“Do të jetë një lojë shumë e fortë. Mendoj së këto dy skuadra tani për tani janë më të forta në La Liga. Mendoj se Simeone sot ka ardhur për të nxjerr një barazim në këtë ndeshje. Besoj se do të jetë një lojë shumë e fortë, por Barcelona është ekip shumë i fortë”, ka theksuar Zaberxha.

Ndeshja mes Barcelonës dhe Atletico Madridit nis nga ora 21:00.