Konjufca: Ligji për të huajt në përputhje me standardet evropiane
BKT
Lajme

Konjufca: Ligji për të huajt në përputhje me standardet evropiane

Valbona Thaçi / RTKLive

(Plotësuar, 18:50) Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, iu ka kundërpërgjigjur ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, për pretendimin se me Ligjin për të huajt bëhet shkelja e të drejtave të serbëve në Kosovë, duke theksuar se veprimet e Kosovës lidhur me Ligjin për të huajt dhe politikat e migracionit janë plotësisht në përputhje me standardet evropiane dhe përgjegjësitë e shtetit sovran.

Konjufca tha se siguria kombëtare, menaxhimi i migracionit dhe funksionimi i institucioneve të Kosovës nuk mund të ketë standarde të dyfishta dhe se duhet të veprohet në përputhje me normat evropiane.

“Sipas ligjit për të huajt, sqaroj që veprimet e Qeverisë së Kosovës janë plotësisht në pajtim me përgjegjësitë e një shteti sovran për të mbikëqyrur popullatën e vet, në përputhje me standardet evropiane për sigurinë kombëtare, migrimin e rregullt dhe punën në kuadër të këtyre ligjeve. Nuk mund të kemi standarde të dyfishta; Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe ka përgjegjësi për qytetarët e vet, por edhe kundrejt organeve të Bashkimit Evropian apo të tjerëve ku jemi anëtarë apo edhe aspirojmë të hyjmë. Pra, bëhet dallimi i qartë midis shtetasve dhe të huajve. Asnjë shtet anëtar i OKB-së, edhe ata në Këshillin e Sigurimit, nuk lejojnë të huajt e padokumentuar që të mbeten aty”, tha Konjufca.

Ai kritikoi Serbinë që po i heq shqiptarët nga adresat e regjistruara në Luginën e Preshevës dhe nga e drejta e tyre e jetës, teksa tha se Kosova për serbët lokal po vepron sipas standardeve të BE-së.

“Ligji ynë për të huajt ka për synim të përmirësojë shërbimet publike për qytetarin e Kosovës; serbët që punojnë në institucione arsimore dhe shëndetësore që nuk menaxhohen nga institucionet e Kosovës e që posedojnë dokumente nga strukturat serbe, obligohen të aplikojnë brenda 12 muajsh për të marrë lejen e qëndrimit. Ligji i Kosovës për të huajt as nuk është diskriminues e as referues ndaj ndonjë komuniteti; është ligj me standardet evropiane, por nuk mund të lejojmë paralelizma, sepse kjo është në kundërthënie me sundimin e ligjit dhe rendin kushtetues. Ligji për të huajt përfaqëson obligimin që Kosova ka marrë përsipër sipas Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim me Bashkimin Evropian dhe këtu i referohem posaçërisht nenit 86 për migrimin e ligjshëm, që i kërkon Kosovës ta përafrojë legjislacionin e vet me atë të vendeve të Bashkimit Evropian”, shtoi Konjufca.

Sa i përket integrimit të arsimit dhe shëndetësisë, ai tha nuk po i mbyllin institucionet shëndetësore e arsimore të komunitetit serb.

“Në fakt, po sigurojmë që ato të veprojnë në kuadër të kornizës sonë ligjore për të parandaluar paralelizma të tillë. Këto përpjekje synojnë ta integrojnë komunitetin serb dhe të promovojnë ndërtimin e paqes me një kornizë të përbashkët të shërbimeve. Ekzistenca e institucioneve ilegale serbe nuk ka pasur të bëjë asnjëherë me mirëqenien e bashkësisë lokale; thjesht shërben si një vegël strategjike e Serbisë për ta mbajtur Kosovën të përçarë, jo funksionale e të cenueshme nga dështimi. Ky është qëllimi fundamental i Serbisë”, nënvizoi Konjufca.

Ai tha se është me rëndësi të rikujtohet që raporti i UNMIK-ut i vitit 2007 që fliste për strukturat e Serbisë.

“Këto struktura janë në kundërthënie me autoritetin e UNMIK-ut dhe mandatin e tij, duke shkelur edhe Rezolutën 1244, duke krijuar parakushte për ndarje de facto të Kosovës. Me këto masa ne përpiqemi të sigurojmë që Kosova të mbetet e unifikuar dhe shtet funksional”, tha Konjufca.

Sa i përket incidenteve me motive etnike që u përmenden, Konjufca tha se fatkeqësisht raporti i UNMIK-ut nuk është indikator i besueshëm i sigurisë së rendit në Kosovë. “Më lejoni që t’i jap disa informata sa i përket indeksit të fundit të ligjit dhe rendit nga Gallup, që është raport global, të cilin Kosova renditet shumë lartë si një prej vendeve më të sigurta në botë. Pra, raporti i UNMIK-ut i ekzagjeron këto incidente që nuk janë domosdoshmërisht me motive etnikë, por që gjithsesi trajtohen nga policia jonë. Janë raste të thjeshta të vjedhjes dhe nuk kanë për shënjestër ndonjë komunitet në Kosovë. Serbia qëllimisht i keqparaqet këto incidente për të vënë Kosovën në një pamje të keqe dhe përfituar ca poenë politike këtu para këshillit, gjë që është një veprimi i papërgjegjshëm e keqdashës”, tha Konjufca.

Ai tha se ndryshe nga Serbia që e ka ndalur ndjekjen penale të krimeve të luftës në juridiksionin e vetë, Kosova është e përkushtuar të ballafaqohet me të kaluarën.

“Institucionet tona gjyqësore kanë një strategji të bazuar në të drejtën e viktimës dhe i ndjekin këto krime pa marrë parasysh etninë e kryerësve dhe në pajtim me standartet më të larta të drejtësisë. Kemi qindra-qindra raste të krimeve të luftës dhe krimeve ndaj njerëzimit duke përfshirë dhunën seksuale të kryer nga ushtria, policia dhe forcat paramilitare të Serbisë gjatë viteve 1998-1999 kundër shqiptarëve të Kosovës që nuk adresohen as nga Kombet e Bashkuara, as nga BE-ja, apo ndonjë gjykatë tjetër në Kosovë”, tha Konjufca.

Ai tha se është detyrim që t'i ofrojmë drejtësi viktimave dhe nuk do të ndalemi deri sa të gjitha këto raste të zgjidhen përfundimisht.

Konjufca në KS të OKB-së: Serbia ta njohë Kosovën, mos ta mbajë peng rajonin

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i bëri thirrje Serbisë që të pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet.

Konjufca, tutje në fjalimin e tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka deklaruar se “Republika e Kosovës vazhdon të zhvillohet si një demokraci stabile, me institucione funksionale dhe progres të qëndrueshëm demokratik”, duke shtuar se vendi ka ndërtuar një polici profesionale dhe forca të besueshme të sigurisë.

Ai theksoi se “Kosova ka dëshmuar reziliencë ndaj krizave të jashtme dhe globale”, ndërsa vuri në dukje se janë mbajtur zgjedhje të lira dhe demokratike, që sipas tij kanë forcuar institucionet dhe stabilitetin politik.

“Qeveria e sapoformuar do të vazhdojë me reforma të thella për ta bërë vendin më të sigurt dhe më të integruar në arenën ndërkombëtare”, tha Konjufca.

Duke folur për raportet me Serbinë, ai deklaroi se “sfidë kryesore mbetet mungesa e gatishmërisë së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve”, duke shtuar se “Serbia vazhdon të pengojë stabilitetin dhe integrimin e rajonit”.

Ai theksoi se është e domosdoshme që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

"Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia, e cila as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as të hyjë në BE. I bëjmë thirrje Serbisë të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos mbajë peng të gjithë rajonin të një hegjemonie”, tha ai.

Konjufca tha gjithashtu se “Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes, dialogut dhe integrimit të të gjitha komuniteteve”, duke nënvizuar hapa konkretë për integrimin e komuniteteve në veri dhe ofrimin e shërbimeve të barabarta për të gjithë qytetarët.

Ai ngriti shqetësimin për, siç u shpreh, përpjekjet për minimin e rendit institucional, duke theksuar se “roli i NATO-s mbetet i domosdoshëm”. Po ashtu, kërkoi vëmendje për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku tha se vazhdojnë sfida serioze.

Sa i përket njohjeve ndërkombëtare, Konjufca u shpreh se “jemi mirënjohës ndaj të gjitha 121 shteteve që kanë njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës”, duke u bërë thirrje shteteve të tjera që ta njohin atë pa vonesë.

Në lidhje me Dhomat e Specializuara, ai tha se “ato nuk burojnë nga Rezoluta 1244 dhe nuk i përkasin mandatit të UNMIK-ut”, duke shtuar se janë krijuar mbi bazë kushtetuese dhe në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.

Sa i përket raportit të UNMIK-it, Konjufca tha se ai nuk e trajton mjaftueshëm sulmin terrorist në Banjskë në shtator të 2023-s.

Konjufca, po ashtu tha se Kosova nuk mund t’i besojë Serbisë pa llogaridhënie të qartë dhe garanci për ndalimin e agresionit, duke marrë për bazë çështjen e mbrojtjes së terroristëve të Banjskës nga ana e shtetit të Serbisë.

Konjufca tha se raporti se nuk e trajton mjaftueshëm sulmin terrorist në Banjskë në shtator të 2023-s.

“Veprimet e vazhdueshme hibride dhe provokimet përbëjnë përpjekje për ta minuar paqen, duke u paraqitur si mbrojtje e komunitetit serb në Kosovë. Raporti mbetet i pamjaftueshëm për të trajtuar rastin e sulmit dhe autorët kryesorë të këtij akti terrorist, duke përfshirë Milan Radoiçiçin, në kohën e sulmit dhe lidhjet e tyre, si dhe mbështetjen që kanë pasur, përfshirë edhe në nivele politike. Nuk mund t’i besojmë Serbisë dhe nuk mund të presim të normalizojmë marrëdhëniet pa llogaridhënie të qartë dhe pa garanci për ndalimin e agresionit”, ka thënë Konjufca. 

Ai tha se po të ishte më i balancuar, raporti do të trajtonte në mënyrë më të plotë realitetin në terren dhe në rajon, sidomos qasjen gjithnjë e më autoritare dhe destruktive, provokimet e vazhdueshme, rritjen e armatimit dhe metodologjinë përshkallëzuese ushtarake, si dhe fushatat dezinformuese të Serbisë.

“Gjithashtu, duhet të trajtohet edhe spastrimi administrativ i shqiptarëve në tri komunat e Luginës së Preshevës – Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka shtuar Konjufca.

Në fund, Konjufca rikonfirmoi se “Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, duke synuar një rajon më të sigurt dhe më të integruar në strukturat euroatlantike.

 


MË SHUME NGA Lajme