Orbán humb zgjedhjet në Hungari, Magyar shpallet fitues
BKT
Në Fokus

Orbán humb zgjedhjet në Hungari, Magyar shpallet fitues

M.Shefkiu/RTKLive

Kryeministri aktual i Hungarisë, Viktor Orbán, ka humbur zgjedhjet parlamentare, duke i hapur rrugë fitores së udhëheqësit të partisë Tisza, Péter Magyar, i cili pritet të formojë qeverinë e re në Budapest.

Orbán, i cili ka udhëhequr vendin për 16 vite dhe garoi për mandatin e gjashtë radhazi, e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe e ka uruar kundërshtarin e tij, duke e cilësuar rezultatin “të qartë”, por “të dhimbshëm” për partinë e tij.

Ai ka deklaruar se do të vazhdojë të shërbejë për Hungarinë nga opozita, pas një prej humbjeve më të rëndësishme politike të karrierës së tij.

Nga ana tjetër, Magyar ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë në zgjedhje, duke e cilësuar rezultatin si fitore të ndryshimit politik në vend.

Sipas rezultateve me rreth 53.45 për qind të votave të numëruara, partia Tisza ka siguruar 136 ulëse në parlamentin me 199 deputetë, ndërsa koalicioni Fidesz–KDNP i Orbánit ka fituar 56 mandate, sipas të dhënave të deritanishme.

Hungaria ka një sistem të përzier zgjedhor, ku votuesit zgjedhin si parti ashtu edhe kandidat lokal. Mandatet ndahen mes listave partiake dhe zonave zgjedhore, të cilat shpesh përcaktojnë shumicën parlamentare.

Pjesëmarrja në votime ka arritur në 77.8 për qind, një nivel rekord krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Procesi zgjedhor është ndjekur me vëmendje edhe në nivel ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Evropian dhe SHBA-në, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump kishte shprehur më herët mbështetje për Orbánin.

Gjatë fushatës, të dy kampet kanë akuzuar njëri-tjetrin për ndikime të jashtme, ndërsa temat kryesore kanë qenë ekonomia, lufta në Ukrainë dhe drejtimi i ardhshëm i vendit.


MË SHUME NGA Në Fokus