Në Hungari përmbyset epoka e Orbánit nga fitorja e Péter Magyar
BKT
Në Fokus

Në Hungari përmbyset epoka e Orbánit nga fitorja e Péter Magyar

A.Bela|RTKLIve

Dje u mbajtën zgjedhjet nacionale në Hungari. Rezultatet treguan se 16 vitet e Viktor Orbán në pushtet kanë përfunduar dhe një sistem i cilësuar si “autokraci elektorale” është rrënuar, i mundur nga një ish-anëtar 45-vjeçar i partisë që bindi shumicën e hungarezëve për t’i dhënë fund atij, shkruan BBC.

Liderë evropianë dhe më gjerë uruan liderin e ri hungarez Péter Magyar, i cili, edhe pse me karrierë të re politike, arriti që skeptikët t’i bindë se do t’ia dalë.

Mediat ndërkombëtare e përshkruan fitoren si një rrënim të asaj që disa e kanë cilësuar “autokraci elektorale”.

“Viktor Orbán ka qenë një partner i afërt si i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, duke siguruar madje një paraqitje personale nga Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance në javën e fundit të fushatës, ashtu edhe i Vladimir Putin, dhe ai ishte bërë një pengesë e madhe për Bashkimin Evropian dhe Ukrainën. Nga ana tjetër, Péter Magyar kandidoi mbi një platformë që synonte distancimin e Hungarisë nga Rusia në favor të marrëdhënieve më të afërta me Bashkimin Evropian dhe Ukrainën”, shkruan mediumi publik britanik BBC.

Kurse mediumi amerikan CNN raporton se në Hungari, humbja e Viktor Orbán tregon se si populizmi mund të arrijë në fund të rrugës.

“Humbja e Viktor Orbán nënkupton se Hungaria do të ketë një ndryshim qeverie për herë të parë që nga viti 2010. Megjithëse sondazhet kishin sugjeruar një fitore vendimtare për partinë opozitare Tisza, shumë nga mbështetësit e saj refuzonin t’i lejonin vetes të imagjinonin se si do të ndihej fitorja. Pas 16 vitesh sundimi nga partia joliberale Fidesz e Orbánit, fusha zgjedhore ishte anuar aq shumë kundër kundërshtarëve të tij, saqë disa vinin në dyshim nëse një alternativë ishte e mundur”, shkruan CNN.

Kështu, sipas CNN, kur Orbán pranoi humbjen përballë kundërshtarit të tij, Péter Magyar, për disa kjo u ndje si një ndryshim regjimi. András Petöcz, shkrimtar dhe poet, tha se ndjenja i kujtoi kohën kur ndodhej në Budapest gjatë kolapsit të Bashkimit Sovjetik.

Edhe The Associated Press (AP) shkruan se kryeministri hungarez Viktor Orbán rrëzohet nga pushteti pas 16 vitesh në një “tërmet” elektoral evropian. “Votuesit hungarezë kanë larguar nga pushteti kryeministrin shumëvjeçar Viktor Orbán pas 16 vitesh në pushtet, duke refuzuar politikat autoritare dhe lëvizjen globale të së djathtës së skajshme që ai përfaqësonte, në favor të një sfiduesi pro-evropian, në një rezultat zgjedhor tronditës me pasoja globale”, shkruan AP.

Largimi i Orbán konsiderohet një lehtësim i madh për Bashkimin Evropian, të cilit ai i ka ekspozuar dobësitë dhe i ka sfiduar vazhdimisht mekanizmat, veçanërisht duke ndihmuar Rusinë të bllokojë një paketë prej 90 miliardë eurosh ndihmë për Ukrainën.

Lideri i ri hungarez Péter Magyar ka marrë urime nga liderët evropianë dhe më gjerë

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka uruar liderin e opozitës hungareze Péter Magyar për fitoren në zgjedhjet parlamentare, që sollën rrëzimin nga pushteti 16-vjeçar të Viktor Orbán. “Hungaria ka vendosur. Urime për fitoren në zgjedhje, i dashur Péter Magyar. Mezi pres bashkëpunimin për një Evropë të fortë, të sigurt dhe mbi të gjitha të bashkuar”, shkruan Merz.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi në rrjetet sociale duke theksuar se rezultati i zgjedhjeve sinjalizon një rikthim të Hungarisë në rrugën evropiane. “Hungaria ka zgjedhur Evropën. Evropa gjithmonë e ka zgjedhur Hungarinë. Së bashku, ne jemi më të fortë,” deklaroi ajo.

Edhe Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, përgëzoi liderin e opozitës Péter Magyar për fitoren, duke theksuar se “vendi i Hungarisë është në zemër të Evropës”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e cilësoi rezultatin si një sinjal të fortë të orientimit evropian të qytetarëve hungarezë. Në një reagim publik, ai tha se kjo është “një fitore që tregon lidhjen e popullit hungarez me vlerat e Bashkimit Evropian”.

Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal, e cilësoi rezultatin si një zgjedhje historike, duke theksuar se hungarezët kanë votuar për një të ardhme më të fortë brenda një Evrope të bashkuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar udhëheqësin e partisë Tisza, Péter Magyar për fitoren e tij zgjedhore në Hungari. Përmes një postimi në platformën “X”, Kurti ka thënë se Kosova e mirëpret mbështetjen e qytetarëve hungarezë për vlerat e Bashkimit Evropian dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim.


MË SHUME NGA Në Fokus