Haxhiu: 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës, tri vendime dënuese
BKT
Foto: Valjeta Shala
Lajme

Haxhiu: 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës, tri vendime dënuese

Valjete Shala /RTK

(E plotësuar) Në shënim të 14 Prillit, që njihet si Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Ushtruesja e Detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës dhe njëherësh kryetarja e Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe të mbijetuar të dhunës seksuale, kanë bërë homazhe te Memoriali “Heroinat”.

Me këtë rast, Haxhiu bëri të ditur se gjatë kohëve të fundit janë ngritur edhe 12 aktakuza për rastet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Sot së bashku me Kryeministrin Kurti, me Vasfijen, Feriden, Danin, ministra e deputetë, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile, jemi këtu pranë memorialit ‘Heroinat’ për të nderuar sakrificën dhe dinjitetin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Këto janë histori dhimbjeje, por edhe qëndrese e force të jashtëzakonshme”, tha ajo.

Haxhiu theksoi se institucionet kanë ende shumë punë për drejtësi dhe përgjegjësi, duke bërë të ditur se “gjatë kohëve të fundit janë ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, si dhe janë dhënë tri vendime dënuese, dy në Gjykatën Themelore dhe një i formës së prerë.

Ajo shtoi se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për mbështetjen e të mbijetuarve dhe ndjekjen e krimeve të luftës, duke falënderuar organizatat e shoqërisë civile për kontributin e tyre shumëvjeçar.

“Fajtorë janë kriminelët që i kanë kryer këto krime”, u shpreh Haxhiu, duke kërkuar po ashtu presion ndërkombëtar ndaj Serbisë për dorëzimin e të akuzuarve dhe duke theksuar rëndësinë e gjykimeve në mungesë si mundësi për të afruar drejtësi për viktimat dhe të mbijetuarit.

Ndërkaq, Vasfije Krasniqi Goodman, ka thënë se për të sot është shumë e vështirë, sepse “para 27 viteve kur isha vetëm 16-vjeçare, isha në dorën e armikut, por sot jam këtu për të folur për drejtësinë”. 

Ajo më tej ka thënë se sot e kam gjithë popullin shqiptar pas vetes, sepse për shumë vite e kisha vetëm familjen. 

“Dua t’i falënderoj institucionet, organizatat, shoqërinë, familjen për përkrahje, për mbështetje! Ju bëj thirrje viktimave që të na bashkangjiten sa më shumë, për të dalë për të folur publikisht, por gjëja kryesore është të kërkohet drejtësi, sepse është diçka që nuk i falet Serbisë për krimet që i ka bërë në Kosovë. Kur unë kam ditur të kërkoj drejtësi kur i kam pasur vetëm 17 vjet, pse të mos kërkojnë edhe sot të gjithë drejtësi?”, ka thënë Vasfije Krasniqi Goodman. 

Thirrje çdo të mbijetuari dhe të mbijetuarës që të vijnë sa më shumë nëpër organizata për të kërkuar ndihmë, por edhe të bëjnë padi kundër shtetit serb, ka bërë edhe z. Ramadan Nishori.  

“Sot është bërë një vit, kur kam dalë të flas publikisht. Unë prej këtij vendi, ju bëj thirrje çdo të mbijetuari dhe të mbijetuarës që të vijnë sa më shumë nëpër organizata, le të kërkojnë ndihmë, por edhe të bëjnë padi kundër shtetit serb”, ka thënë Nishori. 

Kurse për znj. Feride Rushiti kjo ditë për të gjithë shoqërinë kosovare, por mbi të gjitha për të mbijetuarit, për familjarët e tyre, për historinë e Kosovës, shënon memorien kolektive të Kosovës. 

“Neve na vjen mirë që, përtej ne si organizata krah i kemi edhe institucionet e Kosovës, të cilat me aktivitete të ndryshme po e lansojnë dhe po e ngrisin zërin për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Dua të them që kjo ditë koincidon me datën e Vasfije Krasniqit, në momentin kur kjo si e re i është nënshtruar torturës masive në vendin ku i ka ndodhur krimi, dhe nga ai vend vite më parë, Vasfija ka kërkuar që kjo ditë të jetë ditë institucionale, ditë memoriale për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës”, ka thënë Rushiti, njofton zyra për informim e Kuvendit. 

Ndryshe, 14 prilli është caktuar Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

 


MË SHUME NGA Lajme