Haxhiu: Krimet serbe do të dokumentohen, Serbia strehë e kriminelëve
Afet Bela|RTKLive
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë sot homazhe në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër. Ajo tha se, përkundër faktit që dihen emrat e kriminelëve serbë, ende nuk ka drejtësi për këto krime. Sipas saj, institucionet janë angazhuar për të shtuar kapacitetet si në Polici ashtu edhe në Prokurorinë Speciale, si dhe është miratuar Instituti për Krimet e Luftës, me qëllim që të dokumentohen të gjitha krimet që Serbia ka kryer në Kosovë.
U.D.Presidentja e Kosovës, njëherit kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Çikatovë të Vjetër.
Ajo, tha se në këtë vend u vranë 24 civil të paarmatosur. “Trupat e tyre përveç se u sulmuan me bomba dore dhe armë automatike u dogjën, u dogjën disa herë me qëllim që të fshehin krimin gjenocidal. Në Çikatovë të Vjetër u vranë 24 civil të paarmatosur dhe pasi u vranë trupat e tyre u dërguan në Rashkë të Serbisë për tu fshehur krimi. Si institucione jemi angazhuar që të shtojmë edhe kapacitete edhe në Polici edhe në Prokurori Speciale kemi miratuar institutin e krimeve të luftës që të dokumentohen të gjitha krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë. Jemi pranë familjeve në këto kohë të vështira. Dhimbja mbetet e madhe edhe pas 27 viteve”, ka thënë ajo.
Duke i konsideruar dëshmi të gjenocidit të Serbisë në Kosovë, Haxhiu tha se në këto dy fshatra forcat policore dhe ushtarake serbe kryen një nga krimet më të rënda dhe më çnjerëzore në Kosovë, duke vrarë 77 civilë shqiptarë të paarmatosur.
Në Poklek u vranë 53 civilë të pafajshëm, prej të cilëve 23 fëmijë nga 6 muajsh deri në 14 vjeç, ndërsa në Çikatovë të Vjetër u vranë 24 civilë të tjerë. Në Poklek, familjet Muqolli, Elshani, Çaraku dhe Hoxha, pasi u detyruan me forcë të kthehen brenda një shtëpie, u ekzekutuan brutalisht me bomba dore dhe automatikë, ndërsa trupat e tyre u dogjën për disa herë me radhë.
Djegia e përsëritur e trupave, shtoi kryetarja Haxhiu, nuk kishte vetëm qëllim fshehjen e krimit, por dëshmonte qartë synimin për shfarosje të plotë.
Ajo kujtoi që në Çikatovën e Vjetër, civilët e vrarë u transportuan dhe trupat e tyre u zhdukën në mënyrë të organizuar, duke u groposur në varreza masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Kjo, shtoi kryetarja e Kuvendit, ishte një përpjekje e qëllimshme për zhdukjen e gjurmëve të krimit dhe fshehjen e së vërtetës.
“Këto ngjarje përbëjnë dëshmi të qarta të gjenocidit ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë. Autorët e këtyre krimeve edhe pse dihen nuk janë përballur kurrë me drejtësinë. Madje disa prej tyre janë shpërblyer në Serbi”, nënvizoi Haxhiu.
Sipas saj, Republika e Kosovës tashmë ka bazën ligjore që mundëson ndjekjen dhe gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës dhe me vendosmëri kërkohet që përgjegjësit e këtyre krimeve të ndiqen, të gjykohen dhe të dënohen, qoftë edhe në mungesë.
“Ne nuk harrojmë. Këto krime nuk mund të fshihen dhe nuk mund të relativizohen. Ato mbeten një plagë e hapur e historisë sonë dhe një thirrje e përhershme për drejtësi”, tha Haxhiu.
Po sot Haxhiu bëri homazhe edhe në fshatin Krajkovë, në kujtim dhe nderim të ushtarit të UÇK-së, dëshmorit Sokol Elshani, i rënë heroikisht 27 vite më parë.
“Kosova ka qenë me fat që ka pasur të tillë luftëtarë, e të tillë çlirimtarë, si ai”, tha Haxhiu.























