Dështon zgjedhja e gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese
Valmira Saraçi, Kimete Kasumi|RTKlive
(E përditësuar 20:30) Asnjë nga kandidatët nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, edhe pas raundit të katërt të votimit në Kuvendin e Kosovës.
Në procesin e votimit në raunin e katërt morën pjesë 115 deputetë, ndërsa katër fletëvotime rezultuan të pavlefshme.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se asnjëri nga kandidatët nuk ka marrë numrin e nevojshëm të votave për t’u propozuar për këtë pozitë. Ajo bëri me dije se procesi do të përsëritet, duke kërkuar nga komisioni përkatës që të hapë një thirrje të re publike për propozimin e dy gjyqtarëve të rinj.
Sipas rezultateve të votimit, Jorida Xhafaj mori 62 vota, Emine Avdyli Pozhari mori 60 vota dhe Flamur Mrasori mori 51 vota.
Pas përfundimit të votimit, seanca u mbyll, ndërsa procesi për plotësimin e vendeve në Gjykatën Kushtetuese mbetet i hapur deri në një konkurs të ri.
(19:28) 3 kandidatë kalojnë në raundin e katërt për Gjykatën Kushtetuese
Pas raundit të tretë të votimit për zgjedhjen e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, ku kanë marrë pjesë 114 deputetë, tri fletëvotime kanë qenë të pavlefshme, derisa kandidati që ka marrë më së paku vota është Zahir Çerkini.
Në Kuvendin e Kosovës ka vazhduar procesi i votimit për zgjedhjen e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese.
Pas raundit të tretë të votimit, ku kanë marrë pjesë 114 deputetë, tri fletëvotime kanë qenë të pavlefshme, derisa kandidati që ka marrë më së paku vota është Zahir Çerkini.
63 vota ka marrë Jorida Xhafaj, Emine Avdyli Pozhari ka marrë 60 vota, Flamur Mrasori ka marrë 49 vota, ndërsa me 48 vota është renditur Zahir Çerkini, i cili edhe është eliminuar.
Kandidatët do t’i nënshtrohen rrethit të katërt të votimit në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, në garë për dy vende si gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.
(18:30) Katër kandidatë kalojnë në raundin e tretë për Gjykatën Kushtetuese
Pas raundit të dytë të votimit për zgjedhjen e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, ku kanë marrë pjesë 115 deputetë dhe një votë ka qenë e pavlefshme, Shpresa Emra është eliminuar nga gara.
Emine Avdyli Pozhari ka marrë 63 vota, Jorida Xhafaj 62 vota, Flamur Mrasori 43 vota, ndërsa Zahir Çerkini 42 vota. Shpresa Emra ka marrë 12 vota.
Këta katër kandidatë do t’i nënshtrohen rrethit të tretë të votimit në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, në garë për dy vende si gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.
(17: 32) Pesë kandidatë kalojnë në raundin e dytë për Gjykatën Kushtetuese
Benina Kusari është e vetmja kandidate që është eliminuar nga gara për gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, pasi në rrethin e parë të votimit në Kuvend mori vetëm 3 vota deputetësh.
Ndërkohë, më së shumti vota ka marrë Emine Avdyli Pozhari me 58 vota, një më pak ka marrë Jorida Xhafaj me 57 vota, Flamur Mrasori ka marrë 47 vota, pas tij me 43 vota është renditur Zahir Çerkini, ndërsa 14 vota ka marrë Shpresa Emra.
Këta pesë kandidatë do t’i nënshtrohen rrethit të dytë të votimit në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, në garë për dy vende si gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.
Më herët, në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës ka nisur procesi i votimit për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Kuvendi nis procesin e votimit për dy gjyqtarë të Kushtetueses
Në Sallën plenare të Kuvendit të Kosovës ka nisur procesi i votimit për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Në garë për këto vende janë gjashtë kandidatë, Benina Kusari, Emine Avdyli Pozhari, Flamur Mrasori, Jorida Xhafaj, Shpresa Emra dhe Zahir Çerkini.
Aty u përzgjodh edhe Komisioni Zgjedhor i cili i përbërë nga të gjitha Grupet Parlamentare, përveç Listës Serbe që nuk u bë pjesë e procesit.
Nga LVV-ja në këtë komision zgjedhor është Sali Zyba, nga PDK, Sala Jashari, nga LDK, Adelina Thaçi, nga Grupi Multietnik, Ergyl Mazrek, ndërsa nga AAK-ja, Albana Bytyçi.























