Protesta e opozitës në Tiranë përshkallëzohet, lëndohen disa persona
BKT
Shqipëri

Protesta e opozitës në Tiranë përshkallëzohet, lëndohen disa persona

Kimete Kasumi/RTKlive

Në Tiranë u zhvillua protesta e shtatë kombëtare e organizuar nga opozita, para godinës së Kryeministrisë, ku pjesëmarrësit kërkuan largimin e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Pas përfundimit të fjalimeve, situata u përshkallëzua kur një grup protestuesish hodhën molotov dhe fishekzjarrë në drejtim të godinës qeveritare.

Në përgjigje të këtyre veprimeve, Policia e Shtetit ndërhyri për të shpërndarë turmën, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Përplasjet sollën tensione të larta në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa protestuesit u zhvendosën në disa akse përreth zonës dhe u përpoqën të çanin kordonët policorë, por u ndaluan.

Gjatë incidentit, disa persona patën probleme shëndetësore si pasojë e gazit lotsjellës dhe u transportuan për ndihmë mjekësore. Ndër ta u raportuan ish-kandidati për deputet Aulon Kalaja dhe deputetët e opozitës Luçiano Boçi, Flamur Noka dhe Klevis Balliu. Po ashtu, disa protestues u ndaluan nga policia për përdorimin e mjeteve piroteknike dhe për përfshirje në përplasjet e dhunshme.

Pas ndërhyrjes së policisë dhe shpërndarjes së turmës, protesta u mbyll, ndërsa drejtuesit e opozitës u larguan nga zona. Opozita e cilësoi protestën si pjesë të aksionit të saj për ndryshime politike dhe zgjedhje të reja në vend. / Burimi: RTSH


MË SHUME NGA Shqipëri