Haaland pas fitores ndaj Arsenalit: Çdo ndeshje është finale
Fatmir Bytyqi/RTKLive
Erling Haaland, i cili ishte protagonist në fitoren ndaj Arsenalit, ka kërkuar përqendrim maksimal nga bashkëlojtarët e tij në ndeshjet e mbetura të Premier League-s.
‘Qytetarët’ dje mundën Arsenalin, me rezultat 2-1, duke e bërë edhe më të ashpër garën për titullin e kampionit në Angli.
Triumfi ndaj londinezëve e afron Cityn në vetëm tri pikë nga kreu i Premier League, teksa skuadra e Pep Guardiolës ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Pas ndeshjes, sulmuesi norvegjez u shpreh i kënaqur me paraqitjen dhe rezultatin.
“Isha mjaft i lumtur, duhet të jem i sinqertë. Ishte një moment i shkëlqyer për mua. Një fitore e madhe”, tha Haaland.
Ai theksoi se përballjet e tilla janë gjithmonë të forta dhe me shumë duele fizike.
“Mendoj se gjithmonë është kështu, shumë luftë dhe gjëra të tilla. Çfarë mund të them, është gjithmonë bukur. Të tjerët le të vendosin nëse e fitova betejën apo jo”, theksoi Haaland.
Ai foli edhe për golin vendimtar, duke vlerësuar aksionin dhe finalizimin.
“Në atë moment të golit, e fitova unë. Ishte një krosim i mirë dhe finalizimi ishte perfekt. Mendoj se ishte një gol i madh dhe një moment vendimtar, dhe në fund ne fituam”, pohoi ai.
Në fund, ai kërkoi përqendrim maksimal për sfidat e ardhshme, duke veçuar ndeshjen ndaj Burnley.
“Çdo ndeshje është si finale. Tani që mbaruam së foluri këtu, fillojmë të përgatitemi për Burnleyn. Ajo ndeshje është po aq e rëndësishme sa kjo. Duhet të fokusohemi. Duhet të qëndrojmë modestë, të mos mendojmë shumë dhe të përqendrohemi te ndeshja e radhës”, përfundoi Haaland.























