Kuvendi mban tri seanca këtë javë, njëra solemne në nderim të Eliot Engel
Shqipe Gashi|RTKlive
Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca plenare gjatë kësaj jave. Njëra prej tyre do të jetë solemne dhe do t’i kushtohet ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, i cili ka vdekur më 10 prill, ndërsa dy të tjerat do të jenë seanca me shumë pika të rendit të ditës, përfshirë projektligje dhe votime të bordeve.
Kështu ka deklaruar kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë.
Sipas saj, seanca e parë do të mbahet të enjten, me fillim nga ora 10:00, ndërsa dy seancat e tjera do të zhvillohen të premten.
Njëra nga seancat e së premtes do të jetë solemne dhe do t’i kushtohet ish-kongresistit amerikan Eliot Engel.
“Seancat e tjera do të mbahen të premten, njëra dedikuar kongresmenit Eliot Engel, si seancë solemne, ndërsa seanca tjetër do të përfshijë pikat e rendit të ditës, si projektligje, marrëveshje ndërkombëtare, bordet e RTK-së, KPM-së dhe çështje të tjera të ngjashme”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo theksoi se në mbledhjen e Kryesisë është vlerësuar rëndësia e këtyre çështjeve dhe se deputetët janë pajtuar për procedimin e tyre.
Në seancën e së enjtes pritet të shqyrtohen ligje dhe projektligje që kanë kaluar leximin e parë, ndërsa në seancën tjetër të së premtes do të procedohen marrëveshje ndërkombëtare dhe çështje të tjera, përfshirë përzgjedhjen e bordeve të Radiotelevizionit të Kosovës dhe Komisionit të Pavarur për Media.
Haxhiu bëri të ditur se në Kuvend ka një numër të madh ligjesh që presin votimin në lexim të dytë, prandaj këto seanca konsiderohen të rëndësishme për vazhdimin e punës legjislative.























