Pa marrëveshje, drejt zgjedhjeve /Video
BKT
Lajme

Pa marrëveshje, drejt zgjedhjeve /Video

Edona Podvorica /RTK

Edhe sot është diskutuar për mosarritjen e marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe dy partive opozitare, PDK-së dhe LDK-së. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ka ofruar një marrëveshje gjeneroze, ndërsa të dyja partitë nuk e kanë konsideruar të tillë.

Teksa po numërohen ditët e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, liderët e partive opozitare, të cilët dje deklaruan përfundimisht se nuk kanë arritur marrëveshje për këtë çështje, kanë vazhduar të hedhin akuza ndaj partisë në pushtet, duke e fajësuar atë për siç thonë, dështim të qëllimshëm të këtij procesi.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se oferta e partisë së tij për LDK-në dhe PDK-në ishte gjeneroze dhe se nuk mund t’ia japë një post dikujt që nuk e ka marrë nga populli.

“Kryetari i LDK-së është i 11-ti me vota. Pra, duhet ta respektojmë rezultatin zgjedhor. Nuk mund ta shkelim vullnetin e popullit. Nuk po them që opozita është e parëndësishme, përkundrazi, kam bërë ofertë gjeneroze. Kryetari i LDK-së mund të bëhet zëvendëskryeministër, zëvendësi im dhe, përveç kësaj, njëkohësisht edhe ministër i Punëve të Jashtme, pra, t’i kenë katër ministri dhe të jetë zëvendëskryeministër”, tha ai.

Kurti komentoi edhe një herë postin e kryeparlamentarit në këmbim të votave për presidentin, pozitë që u refuzua nga dy partitë më të mëdha opozitare.

“Lirisht, PDK-ja le ta bëjë kryetar Bedri Hamzën, kryetar të Kuvendit, ose Vlora Çitakun. Albulena Haxhiu bëhet nënkryetare e Kuvendit dhe vazhdojmë tutje. Besoni që kjo nuk është pak”, theksoi ai.

E nga holli i Kuvendit, Bedri Hamza tha se Kurti nuk ishte korrekt ndaj qasjes së Partisë Demokratike për kreun e shtetit.

“Është konstatuar që nuk ka pasur seriozitet nga partia fituese dhe nga Kurti për t’i dhënë vendit një president. Nuk është trajtuar me korrektësi qasja pozitive e Partisë Demokratike të Kosovës dhe, si rezultat i kësaj gjendjeje dhe i këtyre zhvillimeve, Këshilli Drejtues ka votuar një deklaratë politike, një paragraf i së cilës ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit. Për Partinë Demokratike të Kosovës, ky proces është i përmbyllur”, pohoi Hamza.

Edhe Lutfi Haziri i Lidhjes Demokratike tha se janë ftuar për të biseduar çështjen e presidentit e kanë përfunduar me bisedimet për t'u bërë pjesë e qeverisë, diçka që sipas tij, ata nuk e kanë kërkuar asnjëherë.

“Veprime të tjera, me hapa të caktuar dhe të imponuar nga kryetari i Vetëvendosjes, kanë ndodhur. Janë bërë fakt dhe janë kryer, dhe lëvizja e djeshme për t’i ofruar LDK-së pjesëmarrje në qeverisje për ne ka qenë diçka që nuk e kemi pritur dhe nuk e kemi kërkuar”, tha Haziri.

Kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj tha se tashmë është e qartë se vendi po shkon në zgjedhje.

“Ia bajmë dertin Kosovës më shumë sesa vetes. Nuk do të ketë shqetësim për pragun. Jo vetëm që e kalojmë pragun, por besoj se do të befasojmë me sukses”, tha Haradinaj.

Kur kanë mbetur edhe 7 ditë deri në përfundim të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të shtetit, pozicionimi aktual i partive politike është shenjë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat do të jenë të tretat me radhë për më pak se 15 muaj.


MË SHUME NGA Lajme