Geci: Thaçin do ta përcjellë fati i Naim Murselit, reagojnë PDK dhe LVV
BKT
Lajme

Geci: Thaçin do ta përcjellë fati i Naim Murselit, reagojnë PDK dhe LVV

Gentiana Kelmendi/RTKlive

Në Kuvendin e Kosovës ka pasur debat të ashpër pas deklaratës së deputetit Fatos Geci, i cili ka bërë një krahasim mes rastit të Naim Murselit dhe ish-presidentit Hashim Thaçi, duke nxitur reagime të forta nga opozita dhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe distancim zyrtar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Fatos Geci, deputet i Listës Guxo , ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se të njëjtin fat si Naim Murseli do ta përcjellë edhe Hashim Thaçi.

“Përshëndes vendimin e Gjykatës për dënimin e përjetshëm ndaj Naim Murselit. Dhe ju që shpresoni që një ditë lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat. Por edhe po të lirohet, nuk ka kurrfarë kredibiliteti përballë figurës së kryeministrit Kurti”, ka deklaruar Fatos Geci.

Pas kësaj deklarate kanë pasuar reagime nga PDK dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka ftuar kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, që të distancohen nga deklarata e deputetit Geci.

“S’po di qysh me të thanë, se me të thanë deputet nuk e meriton. Nuk kisha besu kurrë që nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës vjen një lutje, në formë urimi, për dënim me burg të përjetshëm për njerëzit që kanë luftu për lirinë e këtij vendi. Ju duhet të ndiheni të turpëruar, dhe Lëvizja Vetëvendosje nëse nuk mendon si ju, mu tani ju ftoj juve si kryetare dhe shefen e grupit që të distancohet”, ka thënë Çitaku.

Ndërkohë, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se qëndrimi i LVV-së dhe i grupit parlamentar është i qartë për luftën çlirimtare.

“Sot këtu në këtë seancë nga deputetët u thanë shumë të pavërteta. Gjithsesi ia vlen të theksohet publikisht ajo që besoj është e ditur për qytetarët, qëndrimet e GP dhe të LVV në lidhje me luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë publike, të qarta dhe qëndrojmë pas tyre. Lufta çlirimtare ka qenë e pastër, e drejtë dhe ne respektojmë përpjekjet e të gjithë të rënëve dhe të gjithë atyre që kanë kontribuuar për lirinë e vendit”, ka thënë Nagavci.

Edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nga ulësja e saj është distancuar nga deklarimi i deputetit Geci.

“Ai qëndrim nuk është as i Kuvendit, as i Vetëvendosjes, as i imi si kryetare e Kuvendit, as i shefes së grupit parlamentar, prandaj natyrisht se distancimi nga një fjalim i tillë është i kuptueshëm”, ka deklaruar Haxhiu. 


MË SHUME NGA Lajme