Haxhiu: Kosova ka të rinj e të reja që kanë shumë potencial
Valmira Saraçi|RTKlive
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar Shkollën Digjitale dhe OJQ-në “BONEVET”, nga ku edhe i ka ofruar mbështetje që të shërbejë si urë lidhëse me institucionet e tjera, meqë, sipas saj, institucionet kanë mbështetur projekte të organizatave që merren me këtë fushë.
Haxhiu tha se është me rëndësi të jashtëzakonshme që Kosova ka të rinj e të reja që kanë shumë potencial.
“Kemi pasur informacione për punën e “BONEVET”, por megjithatë sot për së afërmi u njoftuam edhe për programet mësimore që ndërlidhen me teknologji, matematikë, shkencë, art dhe të tjera. Pamë shumë nxënës që, me një energji shumë të madhe, po punojnë edhe në robotikë, fushë e rëndësishme edhe kjo. Ju urova suksese në çfarëdo gare që kanë në të ardhmen”, ka theksuar Haxhiu.
Haxhiu është zotuar që mbështetja do të vazhdojë. “Do të ndihmoj aty ku mundet, që puna e tyre të bëhet sa më e lehtë dhe që të jetë sa më e dobishme”, citon komunikata e presidencës, Haxhiun.
Ndërkaq, Flatra Thaçi, drejtoreshë menaxhuese në “BONEVET”, e ka falënderuar Haxhiun për vizitën derisa ka thënë se “BONEVET” është e hapur për të gjithë qytetarët e vendi.























