Kuvendi përkujton masakrën në Mejë e Korenicë, mbahet një minutë heshtje
BKT
Lajme

Kuvendi përkujton masakrën në Mejë e Korenicë, mbahet një minutë heshtje

V. Saraçi|RTKlive

(E Plotësuar) Deputetët e Kuvendit të Kosovë  kanë nderuar me një minutë heshtje të vrarët e masakrës në Mejë e Korenicë të Gjakovës gjatë luftës në Kosovë.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se trupat e 376 civilëve të vrarë ishin zhvendosur nga forcat serbe me qëllim fshehjen e shkatërrimin e dëshmive të krimit.

 “Siç jeni në dijeni sot është 27 vjetori i masakrës në Meje dhe Korenicë  të Gjakovës, masakrës më të madhe gjatë luftës së fundit kur 376 civilë shqiptar të paarmatosur u vranë ndërsa trupat  e tyre me qëllim fshehjen dhe shkatërrimin e dëshmive të krimit u zhvendosën e u rivarrosën, prandaj le të bëjmë një minutë heshtje nderim”, tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Me këtë është përmbyllur seanca përkujtuese e thirrur për akademikun, Rexhep Qosja, ndërsa nga ora 13:00 do të nis seanca tjetër e planifikuar të mbahet në Kuvendin e Kosovës.

Nis seanca përkujtimore për Rexhep Qosjen në Kuvend

Sh.Çoçaj/RTKlive

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka nisur, me një minut heshtje, sot seancën e veçantë përkujtimore në nderim të akademikut Rexhep Qosja.

Seanca, e cila ka filluar në orën 09:00, i kushtohet jetës dhe veprës së një prej figurave më të rëndësishme të jetës akademike dhe kulturore shqiptare.

Akademiku, shkrimtari dhe kritiku letrar shqiptar, Rexhep Qosja, ka vdekur të enjten në moshën 90-vjeçare, njoftoi familja e tij. 

Pas përfundimit të kësaj seance, Kuvendi pritet të vazhdojë me seancën plenare të paraparë për në orën 12:00, ku në rend dite janë një sërë çështjesh legjislative dhe vendime institucionale.

Kuvendi mban dy seanca, njëra përkujtimore për Rexhep Qosjen

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot zhvillon dy seanca të ndara, një seancë të veçantë përkujtimore dhe një seancë plenare me një rend të gjerë të ditës që përfshin projektligje dhe vendime institucionale.

Në orën 09:00, mbahet seanca e veçantë në shenjë nderimi për akademikun Rexhep Qosja, një figurë e njohur e jetës akademike dhe kulturore shqiptare.

Ndërkaq, në orën 12:00 zhvillohet seanca plenare, ku deputetët do të shqyrtojnë një sërë çështjesh të rëndësishme legjislative dhe institucionale.

Në rend dite janë, ndër të tjera, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, si dhe dy projektligje të reja për sektorin e energjisë dhe energjinë elektrike.

Po ashtu, në këtë seancë pritet të trajtohet edhe Projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, si dhe disa vendime për emërime në institucione të pavarura, përfshirë Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Komisionin për Provimin e Jurisprudencës dhe Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Rendi i ditës

1.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-040 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, 
2. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-031 për Energjinë,
3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-032 për Energjinë Elektrike,
4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.10/L-044 për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, 
5. Emërimi i tre (3) anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,
 6. Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për formimin e Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës,
 7. Emërimi i drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

 

 


MË SHUME NGA Lajme