Tahiri e quan puç seancën e jashtëzakonshme: U cenua Kushtetuta
Medina Pasoma / RTKlive
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri e ka cilësuar seancën e jashtëzakonshme për presidentin të mbajtur sonte, si sulm dhe shkelje ndaj Kushtetutës së vendit.
“Ky akt shënon jo vetëm një ndër shkeljet më të mëdha kushtetuese, por, në të njëjtën kohë, edhe sulmin më të madh që i është bërë Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Aleanca, në këto rrethana, do t’i marrë të gjitha veprimet e mundshme për të parandaluar një veprim të tillë... Kjo që ka ndodhur sot është puç, është cenim i Kushtetutës dhe ne këtë veprim antikushtetues e dënojmë ashpër”, tha Tahiri.
Ai ka thënë se çka ka ndodhur sonte nuk është dashur të ndodh, duke e vlerësuar si “gabim i madh”.
“Ajo që sot kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes ndërmori është pa asnjë dyshim, një goditje e rëndë që i është bërë rendit kushtetues, që i është bërë Kushtetutës së Kosovës, duke nisur një seancë plotësisht në kundërshtim me rregullat, të cilat janë mirë të përcaktuara, ku një seancë për zgjedhjen e presidentit do të duhej të kishte prezencën e dy të tretave. Kjo situatë kaq serioze, kaq e rrezikshme për demokracinë e vendit, pa asnjë dyshim, është cenim i rendit kushtetues dhe një tentim për grusht-shtet”, tha ai.























