Nagavci fton opozitën për seancën e nesërme
A.Bela|RTKLIve
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se në mungesë të propozimeve nga partitë opozitare, kanë vendosur të propozojnë dy aktiviste, Feride Rushiti e Hatixhe Hoxha, për postin e presidentes së vendit.
Ajo tha se është parë se Rushiti ka mbështetjen e deputetëve, duke marrë 63 vota për në raundin e parë të votimit.
“Kemi pasur kuorum për të filluar seancën e jashtëzakonshme, sepse seanca ftohet me 40 nënshkrime, ishin të pranishëm më shumë se 61 deputetë për të filluar seancën” , tha Arbërie Nagavci.
Në vazhdimin e seancës së nesërme prej orës 10:00, ajo u ka bërë thirrje deputetëve të partive opozitare që të marrin pjesë dhe që “të shmangim edhe një palë zgjedhje të reja”.
Ajo theksoi se asnjë nga deputetët e opozitës nuk kanë njoftuar për mungesën në seancë.
Ajo po ashtu tha se kandidatja për presidente, Feride Rushiti, kishte mbështetjen e deputetëve.
“Ashtu sikurse ishim dëshmitarë të gjithë, e filluam seancën për zgjedhjen e presidentit, presidentes në këtë rast. Duke parë se nuk ka asnjë iniciativë nga asnjëra nga partitë tjera ne vazhduam edhe kësaj radhe me dy nominime të reja, në këtë rast me dy aktiviste, gra të denja, veprimtare dhe profesioniste në mënyrë që të vazhdojmë me zgjedhjen e presidentit edhe të shmangim zgjedhje të reja. E patë që ishim të pranishëm në sallë gjithsejtë 64 deputetë dhe sikurse deklaroi kryetarja e Kuvendit, zonja Haxhiu, asnjë nga deputetët nuk ka njoftuar për arsyet e mungesës në seancë. U pa që zonja Feride Rushiti kishte mbështetjen e deputetëve, kishte faktikisht 63 vota nga deputetët që ishin të pranishëm, ndërkohë që nuk kishim të pranishëm deputetë të tjerë”, deklaroi ajo.























