IKD njofton Kuvendin për fillimin e nismës së ndryshimit të Kodit Penal
Medina Pasoma / RTKlive
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dorëzuar njoftimin për fillimin e nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal, në Kuvendin e Kosovës.
IKD synon të arrijnë mobilizimin e së paku 10.000 qytetarëve për të propozuar ndryshime ligjore në dy fusha kyçe për rendin kushtetues dhe integritetin e proceseve demokratike.
“Fusha e parë e ndërhyrjes lidhet me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Aktualisht, Kodi Penal në nenin 394 kriminalizon mosekzekutimin e vendimeve të gjykatave, por nuk përfshin në mënyrë të qartë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ky boshllëk normativ krijon hapësirë për shmangie të përgjegjësisë, ndonëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sipas nenit 116 të Kushtetutës, janë detyruese për të gjitha institucionet dhe personat në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas IKD-së, synohet adresimi i kësaj mangësie duke propozuar që të kriminalizohet refuzimi i qëllimshëm, mosveprimi i pajustifikuar apo shmangia e vetëdijshme nga zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga personat përgjegjës.
“Fusha e dytë e nismës ka të bëjë me kriminalizimin e keqpërdorimit të parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore. IKD vlerëson se praktikat e shpërndarjes së ndihmave, subvencioneve apo përfitimeve financiare në mënyrë AdHoc nga institucionet publike, me qëllim ndikimin në votë, cenojnë rëndë barazinë në garën zgjedhore dhe besimin në procesin demokratik”, vazhdon njoftimi.
IKD thekson se kjo nismë synon të sigurojë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të zbatohen në mënyrë efektive dhe që buxheti i shtetit të mos përdoret për të deformuar vullnetin e qytetarëve në zgjedhje. Përmes kësaj ndërhyrjeje, IKD synon të kontribuojë në forcimin e rendit kushtetues, sundimit të ligjit dhe demokracisë në vend.























