Bassuener: Rreziku i destabilizimit në Ballkan mbetet i lartë
Berianë Mustafa/Radio Kosova
Analisti i politikave ndërkombëtare, Kurt Bassuener, në një intervistë për Radio Kosovën, flet për sfidat e brendshme politike të Kosovës, stagnimin e dialogut me Serbinë, ndryshimet në politikën transatlantike dhe rreziqet e një periudhe të re pasigurie në Ballkanin Perëndimor.
Në një kohë kur Kosova po përballet me tensione të vazhdueshme politike dhe paqartësi institucionale, debati mbi thellësinë e krizës politike dhe drejtimin strategjik të vendit po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. A është kjo vetëm një krizë e përkohshme politike apo simptomë e problemeve më të thella të funksionimit demokratik? Si ndikon polarizimi politik në stabilitetin institucional, çfarë perspektive ka dialogu Kosovë–Serbi dhe sa vendimtar mbetet roli i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në rajon? Për gjitha këto flet analisti Kurt Bassuener.
Radio Kosova: Si do ta vlerësonit situatën aktuale politike në Kosovë? A po përballemi me një krizë të përkohshme politike, apo e shihni këtë më shumë si një problem më të thellë institucional?
Kurt Bassuener: Sinqerisht, mua më duket më shumë kjo e dyta, në kuptimin që kjo situatë është tejzgjatur dhe duket thjesht si një episod në një “serial” të gjatë politik, forma e të cilit ndryshon me kalimin e kohës. Dua të them, kjo është hera e parë që konflikti lidhet me presidentin, sipas kujtesës sime, por nuk është hera e parë që fragmentimi politik pengon funksionimin e qeverisjes në përgjithësi dhe qartësinë institucionale. Dhe kjo, më duket qartë, jo vetëm për mua, si një problem serioz për Kosovën në të ardhmen, sidomos kur nevojitet qartësi në trajtimin e të gjitha çështjeve në agjendën e vendit, si në politikën e jashtme ashtu edhe në atë të brendshme.
Radio Kosova: A e shihni këtë si një shenjë të rritjes së polarizimit politik, që mund të dobësojë institucionet demokratike në vend?
Kurt Bassuener: Mendoj se mund të jetë, po. Pra, niveli i polarizimit dhe gjuha e ashpër që përdoret, a është kjo diçka e pazakontë krahasuar me atë që shohim në vende të tjera demokratike? Fatkeqësisht, jo. Por padyshim që kjo pengon atë që për një kohë të gjatë ka qenë përparim demokratik në Kosovë, pavarësisht sfidave rajonale dhe marrëdhënieve me Serbinë, si dhe faktorëve të tjerë. Prandaj, mendoj se polarizimi është patjetër një faktor i rëndësishëm dhe nuk duket se po gjen zgjidhje apo po zbutet.
Radio Kosova: Zgjedhjet e ardhshme parlamentare, a mendoni se do ta zgjidhnin krizën politike apo do ta thellonin edhe më shumë atë?
Kurt Bassuener: Natyrisht, nuk mund ta parashikoj vullnetin e votuesve, por nëse nuk ndodh ndonjë ndryshim rrënjësor në qëndrimet dhe preferencat e elektoratit, mendoj se rezultatet nuk do të jenë një kopje identike e zgjedhjeve të dhjetorit, por gjithashtu nuk pres ndonjë ndryshim të madh. Pra, nuk shoh një diferencë të mjaftueshme që ka gjasa reale ta zgjidhë problemin. Kjo do të nënkuptonte më shumë një zgjatje dhe rrjedhimisht thellim të krizës politike.
Radio Kosova: A po i japin prioritet partitë politike reformave për ndërtimin e shtetit, apo më shumë po fokusohen në konkurrencën politike afatshkurtër dhe interesat e tyre?
Kurt Bassuener: Nga këndvështrimi im si vëzhgues, kjo situatë duket tepër e personalizuar dhe nuk më duket se i shërben interesit publik në kuptimin e gjerë. Natyrisht, në një shoqëri demokratike ekzistojnë dallime legjitime në qëndrime politike dhe në politika konkrete, por standardet demokratike, përfshirë mënyrën e sjelljes politike, kanë shumë rëndësi. Normat dhe praktikat demokratike kërkojnë kohë për t’u ndërtuar, por, fatkeqësisht, siç mund ta them edhe nga përvoja ime si amerikan, nuk duhet shumë kohë që ato të dëmtohen rëndë apo madje të shkatërrohen.
Radio Kosova: Si e vlerësoni fazën aktuale të dialogut Kosovë–Serbi? Ky proces i vazhdueshëm që nga viti 2013 duket i bllokuar.
Kurt Bassuener: Nuk shoh ndonjë lëvizje përpara në horizont, sinqerisht nuk e shoh. Dhe kjo nuk është vetëm përgjegjësi e Kosovës. Edhe Serbia ka qenë në një krizë të thellë institucionale, dhe aty ka pasur një diferencë të madhe në mënyrën si komuniteti ndërkombëtar e ka trajtuar situatën. Në vitin e fundit apo një vit e gjysmë, Serbia ka marrë më shumë kritika se zakonisht, por në mendimin tim jo mjaftueshëm, duke pasur parasysh atë që është parë dhe mënyrën si është ndërtuar sistemi politik nën Vuçiqin. Prandaj, nuk shoh se do të ketë përparim të vërtetë që mund të vijë nga Prishtina apo Beogradi, dhe ndoshta kjo është edhe zhgënjyese për Brukselin. Por gjithashtu nuk shoh as ndonjë ndryshim thelbësor në qasjen e Brukselit ndaj vetë dialogut, një “rregullim bazik” të qasjes, nëse mund ta quajmë kështu gjë që, sipas meje, do të ishte e nevojshme.
Radio Kosova: Pra, a mendoni se dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka arritur në një bllokim strategjik?
Kurt Bassuener: Mua më duket si një rrugë pa krye, dhe nga këndvështrimi im mendoj se gjatë gjithë kohës është shmangur problemi thelbësor: pra, është tentuar të kërkohet më pak nga Beogradi sesa që unë mendoj se është e domosdoshme, që është njohja reciproke. Pra, kërkesat nuk janë të njëjta apo të balancuara në mënyrë të barabartë, sipas mendimit tim. Dhe do të kisha shpresuar që konteksti gjeopolitik ta kishte bërë këtë më të qartë. Në vend të kësaj, duket se kjo qasje ndaj dialogut ka mbetur e bllokuar në një epokë më të hershme të gjeopolitikës dhe të perceptimeve për kërcënimet ndaj demokracisë në BE. Dhe në njëfarë mënyre, Ballkani Perëndimor është i vetmi rajon , nga “Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor”, ku BE-ja mund të ishte një aktor vendimtar, por nuk po arrin të jetë i tillë, sepse nuk po përshtatet dhe nuk po mëson nga zhvillimet e reja.
Radio Kosova: A besoni se “normalizimi” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë i qëndrueshëm në plan afatgjatë pa njohje reciproke?
Kurt Bassuener: Jo, sinqerisht mendoj se “normalizimi” shpesh përdoret si një mënyrë për të shmangur çështjen më të vështirë, që është njohja reciproke. Dhe mendoj se kjo është arsyeja pse është vendosur ai “objektiv” më i ulët. Pjesërisht kjo lidhet me faktin se brenda vetë BE-së ka shtete që nuk e njohin Kosovën. Pjesërisht edhe me mungesën e vëmendjes ndaj këtij elementi themelor. Dhe ajo që ka dalë në pah është se për shumicën e akterëve ndërkombëtarë, BE, SHBA, Britani, fokusi kryesor ka qenë që rajoni, dhe ky nënsegment i tij, të mos jetë burim problemi për ta, më shumë sesa zgjidhja e çështjeve në thelb. Duke folur edhe nga përvoja ime në fund të viteve ’90, kur isha më i ri dhe isha i përfshirë në përpjekjet për të shtyrë SHBA-në drejt ndërhyrjes në Kosovë pasi lufta kishte filluar dhe parandalimi kishte dështuar, mendoj se kemi shmangur pikërisht atë pjesë të vështirë që duhej adresuar. Ishte e qartë për disa prej nesh që në qershor 1999 se Kosova do të bëhej e pavarur, dhe sot ky është realitet i pakthyeshëm. Dhe për të funksionuar marrëdhëniet rajonale, Serbia politikisht dhe shoqërisht duhet ta pranojë këtë realitet dhe pastaj të ndërtojë marrëdhënien mbi atë bazë. Në vend të kësaj, është ndjekur një qasje shumë “evropiane”, funksionale, duke synuar zgjidhje më të vogla dhe teknike. Por kjo çështje më e madhe mbetet gjithmonë në sfond dhe, sipas meje, pengon shumë nga potenciali për përparim në fusha të tjera, pikërisht sepse nuk është zgjidhur.
Radio Kosova: Sa vendimtare është përfshirja e SHBA-së për stabilitetin politik të Kosovës sot?
Kurt Bassuener: Mendoj se potenciali i saj për ndikim, përfshirë edhe ndikim negativ, është shumë i madh. Për fat të mirë, ajo “kartë” nuk është përdorur deri tani, por ne kemi një administratë shumë të ndryshme, madje edhe ndryshe nga mënyra e të menduarit dhe qasja e administratës së parë të Trump-it. Ka pasur diskutime, qysh nga periudha 2017–2021 dhe edhe ndërmjet mandateve, për mundësinë e tërheqjes së kontingjentit ushtarak amerikan nga Kosova. Tani, ai boshllëk në terren mund të plotësohet relativisht lehtë nga BE-ja në aspektin ushtarak, por politikisht pesha e SHBA-së është krejt tjetër. Prandaj, një ndryshim i rolit amerikan mund të jetë shumë destabilizues. Ajo që ende nuk është parë plotësisht, por që unë mendoj se po fillon të shfaqet nga këndvështrimi im në Sarajevë, është që SHBA-ja po zhvillon një politikë rajonale më të përafërt me drejtimet e përgjithshme të angazhimit të saj global dhe me strategjitë e sigurisë dhe mbrojtjes, një qasje më reaktive dhe më konservatore kombëtare, në thonjëza. Kjo qasje ngjan me atë që është promovuar nga Budapesti nën Orbán-in, por edhe nga qeveri dhe lëvizje të tjera në Evropë. Mendoj se në këtë kuadër, një pjesë e “batonit” është zhvendosur tashmë te Zagrebi, gjë që në Bruksel nuk vlerësohet sa duhet, sidomos sepse HDZ është pjesë e EPP-së, ashtu si edhe SNS, pavarësisht hetimeve që janë duke u zhvilluar dhe se si do të përfundojnë ato. Në përgjithësi, jam i shqetësuar për pozicionin amerikan dhe për faktin që evropianët mund të mos jenë duke u përgatitur mjaftueshëm për një skenar të tillë.
Radio Kosova: Pra mendoni që Shtetet e Bashkuara nuk duhet të marrin një rol më të fortë udhëheqës në dialogun Kosovë–Serbi?
Kurt Bassuener: Nuk e shoh si mund të jetë pozitivisht e mundshme, duke parë kush është në krye të drejtimit, sinqerisht. Jemi në një administratë tjetër amerikane, dhe kjo është diçka që unë e kam argumentuar për vite me radhë. Natyrisht, kam besuar se një rol i fortë amerikan është i dobishëm. Por tani që, në thelb, SHBA-ja dhe BE-ja janë disi të bllokuara në një marrëdhënie kundërshtuese që evropianët nuk duan ta thonë hapur, kryesisht për shkak të shpresës që garancia e Nenit 5 të NATO-s është ende potencialisht e vlefshme dhe që kjo administratë një ditë do të përfundojë, ata ndodhen në një zonë gri midis asaj që mund të bëjnë vetë dhe asaj për të cilën duhet të forcohen. Unë nuk mendoj se do të doja të shihja një rol më të fortë amerikan në këto procese, sepse kam frikë se ai rol ndoshta do të ishte në anën e Beogradit. Të paktën kjo është ajo që më shqetëson. Nuk kam njohuri për planifikimet e administratës, por kjo është frika ime.
Radio Kosova: Si e shihni dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Gaza, kur Kosova ka nënshkruar edhe marrëveshjen që të jetë pjesë e Bordit të Paqes?
Kurt Bassuener: Unë nuk do të doja të isha i vendosur atje. Nuk mendoj se ka shumë qartësi misioni se si do të veprojë ajo forcë. Kam dëgjuar gjëra shumë të përgjithshme dhe mund të jem i painformuar për planifikime më të thella, por më duket se nuk bie jashtë zakonit të idesë që kontingjentet ushtarake vendosen në thelb si dëshmi e përkushtimit ndaj një aleance, ndaj një marrëdhënieje. E kuptoj këtë. Por mendoj se ky është një mision veçanërisht i rrezikshëm, kur ke një popullatë që ka shumë gjasa t’i shohë forcat e jashtme të çdo lloji si në thelb duke punuar për izraelitët dhe amerikanët, dhe për rrjedhojë mund t’i trajtojë me shumë armiqësi. Prandaj mendoj se është shumë e mundshme të jetë një mision shumë i rrezikshëm. Dhe e di që kjo është diskutuar edhe këtu në Bosnjë dhe Hercegovinë për vendosjen e trupave. Nuk ka ardhur ende për debat në parlament apo për diskutim. Mendoj se do të krijonte, nëse do të ndiqej seriozisht, më shumë reagim publik dhe shumë pakënaqësi…”
Radio Kosova: A po e përjetojmë një periudhë të re të pasigurisë politike në Ballkanin Perëndimor?
Kurt Bassuener: Po, mendoj se po. Pjesërisht kjo ndodh sepse ajo që më parë, pavarësisht fërkimeve që ekzistonin në këto marrëdhënie, kishte një unitet thelbësor rreth bazave të një Evrope të bashkuar, të lirë, në paqe dhe të prosperuar – si një vijë bazë mes Brukselit, Uashingtonit, Londrës dhe akterëve të tjerë. Tani, mendoj se ka një dallim. Po, teorikisht të gjithë do të thoshin se janë për këto gjëra, por vizionet e tyre për atë që ato nënkuptojnë mund të jenë shumë të ndryshme. Dhe po veprohet në një mjedis ku ka shumë, shumë agjenda të papërmbushura, të cilat tani po ndiqen me shumë më pak përmbajtje, nëse ka fare, sepse shpresa është që do të ketë mbështetje nga jashtë, veçanërisht nga Uashingtoni, për këto agjenda, sidomos nëse ato janë nacionaliste dhe sidomos nëse mund të ofrojnë edhe diçka ekonomike. Kështu që ajo që shohim është një politikë amerikane shumë e qartë pa vlera, dhe një politikë e Bashkimit Evropian që nuk është plotësisht në përputhje me vlerat e veta, siç kemi parë në qëndrimin ndaj lëvizjes së protestave në Serbi, ku përshtypja e përgjithshme që mora ishte se Brukseli thjesht dëshironte që kjo të zhdukej, në mënyrë që të mund t’i kthehej planeve dhe zonës së vet të rehatisë.
Radio Kosova: Pra, sa të ndërlidhura janë krizat politike në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë në këtë kontekst?
Kurt Bassuener: Lidhja mes tyre në një rast është Serbia, apo jo? Vetëm duke e parë hartën. Por gjithashtu mendoj se ato janë të gjitha të lidhura, në aspektin e angazhimit të trupave. Përforcimet K4 janë gjithashtu përforcimet që supozohet të jenë për U4. Janë të njëjtat forca rezervë. Pra, ekziston edhe kjo. Në teori, këto dy forca supozohet të përforcojnë njëra-tjetrën në rast krize. Mund të imagjinosh lehtësisht një skenar në të cilin krijohen kriza të koordinuara, për shembull në Republikën Srpska dhe në veri të Kosovës. Pra, edhe kjo ekziston. Tani, lajmi i mirë është se e gjithë kjo është e parandalueshme, por është e parandalueshme vetëm me një parandalim të besueshëm (deterrencë të besueshme). Dhe tani, sfida është se topi është në fushën e Bashkimit Evropian. Nuk mendoj, duke ditur atë që dimë tashmë, se mund të presim diçka pozitive nga Uashingtoni. Dhe e di që ky është një mesazh shumë më i vështirë për t’u dëgjuar në Kosovë sesa ndoshta edhe këtu. Më fal për gjuhën time të huaj. Por ky, mendoj, është realiteti gjithsesi: Shtetet e Bashkuara dhe angazhimet e tyre nuk janë më ato që kanë qenë, sepse kjo është një Amerikë ndryshe. Të paktën administrata është e tillë. Dhe do të thosha se gjenerata ime – gjenerata ime që ka qenë e përfshirë në arsyen pse ne jemi atje në radhë të parë, në një mënyrë apo tjetër, dhe unë kam qenë shumë i ri në atë vazhdimësi, kjo tashmë është histori e lashtë për shumë njerëz, në të dyja anët e spektrit politik.
Radio Kosova: Pra, dua të them, sa shumë ose sa i shqetësuar duhet të jetë komuniteti ndërkombëtar për regresin demokratik në rajon? A po e shohim këtë?
Kurt Bassuener: Mendoj se ka shumë më tepër shqetësim për regresin demokratik, do të argumentoja. Dhe nuk do të prisja që Uashingtoni, duke pasur parasysh faktin që thotë se nuk dëshiron as të vëzhgojë më zgjedhjet, të jetë shumë i fokusuar në këtë çështje. Por do të pritej që Bashkimi Evropian, i cili në teori synon t’i sjellë të gjitha këto vende në Bashkimin Evropian, të jetë mjaft i shqetësuar për këtë. Dhe ata janë; ka pasur përparim, për shembull, në atë që ka ndodhur me zgjedhjet në Hungari. Dhe Hungaria ka qenë shumë e përfshirë në të gjithë rajonin, siç e dini. Kështu që shpresohet që politikat nga Budapesti do të jenë dukshëm të ndryshme dhe më të përshtatura me një rrymë më të gjerë evropiane. Por ka edhe shtete të tjera anëtare në 27-ën që kanë mendësi të ngjashme, të cilat kanë mundur të fshihen efektivisht pas Orbán-it dhe ta lënë atë të marrë gjithë kritikën për qëndrime që nuk janë shumë të ndryshme. Pra, Bashkimi Evropian ka një mundësi të madhe të fokusohet në këtë regres demokratik dhe të punojë për ta kundërshtuar atë duke përfshirë qytetarët nga secili prej këtyre gjashtë vendeve. Por kjo nuk është mënyra e zakonshme e veprimit që Bashkimi Evropian ka ndjekur. Deri tani, ata gjithmonë kanë supozuar se qeveritë janë partnerët e tyre. Dhe siç po shihni në krizën tuaj politike, qeveritë mund të ngatërrohen dhe të bllokohen. Ajo që nuk duhet të ndryshojë, dhe ajo që ka më pak gjasa të ndryshojë, është përkushtimi i qytetarëve ndaj dinjitetit, të drejtave individuale, sundimit të ligjit, qasjes në drejtësi, etj. Këto janë gjërat që Bashkimi Evropian supozohet t’i përfaqësojë dhe mendoj se shumica e qytetarëve besojnë se ai i përfaqëson. Por politikat e tij nuk kanë qenë gjithmonë në përputhje me atë që ky përkushtim duhet të nënkuptojë.
Radio Kosova: Si mendoni se nga ajo që po shohim tani, ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme, si mund të riformësojë përqendrimin strategjik të Perëndimit ndaj Ballkanit? A mendoni se kjo do të ndodhë?
Kurt Bassuener: Mund të ndodhë. Dua të them, do të shpresoja, në një drejtim pozitiv. Mendoj se kjo do ta shtynte një Evropë që ka qenë më pak se entuziaste për luftën amerikano-izraelite kundër Iranit, megjithëse ka dallime mes 27 shteteve edhe për këtë çështje – që ta forcojë zonën ku, siç e kam thënë, ky është vendi i vetëm në botë ku BE-ja mund të jetë një akter vendimtar tani: Ballkani Perëndimor, dhe veçanërisht Bosnja dhe Kosova për shkak të mandateve që ekzistojnë. Por ajo ka shmangur përdorimin e kësaj fuqie për interesat e veta, e lëre më për interesat e qytetarëve, edhe pse këto dy gjëra duhet të shkojnë bashkë. Nuk është e detyrueshme, por duhet të jenë të lidhura. Dhe nuk mendoj se është një barrë e madhe për t’u përballuar. Aty ku mendoj se ka shumë hezitim, janë dy faktorë. E para, ka një hezitim të thellë për të pranuar se politikat që janë ndjekur deri tani nuk kanë funksionuar, nuk kanë dhënë rezultatet e premtuara. Dhe pjesa e dytë është se ka një hezitim, me të drejtë, për të hyrë në konflikt me Shtetet e Bashkuara, por mendoj se kjo nuk mund të shmanget më në nivel global. Pra, po të isha evropian, do të mendoja nëse na duhet një lloj Doktrine Monroe de facto për Ballkanin Perëndimor. Dhe von der Leyen e ka lënë të nënkuptohet diçka e tillë, por sigurisht nuk e ka përmendur sfidën që Shtetet e Bashkuara paraqesin në këtë rajon. Ajo pati një deklaratë më herët këtë javë për nevojën për një Evropë të plotë. Mirë, kjo është në përputhje me idenë e saj për një komision gjeopolitik që e nisi në fillim të mandatit të parë. Por unë nuk po shoh një Bashkim Evropian gjeopolitikisht të fuqishëm dhe efektiv në një zonë ku do të pritej të ishte, nëse do të ishte vërtet i përkushtuar për të qenë i tillë.
Radio Kosova: A mendoni se ekziston rreziku që kriza globale e sigurisë të ulë angazhimin ndërkombëtar në Kosovë?
Kurt Bassuener: Po, sigurisht që mund të ulë angazhimin e trupave amerikane, të cilin ata tashmë e kanë lënë disi të nënkuptuar, madje edhe para fillimit të kësaj lufte. Pra, mendoj se ky është ndryshimi më i afërt dhe më i mundshëm, i cili mund të jetë mjaft destabilizues, sidomos nëse BE-ja nuk është e përgatitur ta mbushë atë boshllëk dhe të tregojë se ka “dhëmbë”, pra fuqi reale. Mendoj se ata mund ta bëjnë këtë, veçanërisht nëse britanikët janë të përfshirë. Por ky është, besoj, skenari më i mundshëm i tërheqjes. Por gjithashtu është një tjetër arenë ku akterët që përfitojnë nga destabilizimi mund të shfrytëzojnë situatën ndërsa vëmendja është diku tjetër. Dhe përsëri, siç ka ndodhur për dekada në rajon, të jesh një hap përpara sjell shumë përfitime, në vend që të përpiqesh të arrish situatën pasi diçka ka ndodhur. Por zakonisht, si me çdo gjë, është si të paguash një prim për sigurim ose të mirëmbash diçka që ka nevojë për mirëmbajtje, në vend që ta lësh të përkeqësohet deri sa të fillojë të të rrjedhë çatia.
Radio Kosova: A e shihni nëse ekziston unitet transatlantik ndërmjet SHBA-së dhe BE-së për të ardhmen? A ekziston vërtet?
Kurt Bassuener: Nuk më duket plotësisht e qartë se ka një çarje themelore, por kam frikë se ajo ndodhet nën sipërfaqe. Besoj se diskutimet për tërheqjen e trupave amerikane janë një tregues i kësaj. Dhe, siç dihet, gjeografia dikton që evropianët duhet të kujdesen më shumë, apo jo? Prandaj edhe duhet ta dëshmojnë këtë, si në aspektin e parandalimit (deterrencës), ashtu edhe në aspektin e zgjidhjes së problemeve, duke u përpjekur të kalibrojnë politikat e tyre jo vetëm për të ulur tensionet, por edhe për të reduktuar arsyet që i krijojnë ato tensione. Dhe mendoj se njohja e ndërsjellë është diçka që asnjë lider serb nuk do të dëshironte ta pranonte lehtë. Por gjithashtu ka shumë pak gatishmëri në Serbi që njerëzit të kthehen për të jetuar atje poshtë, apo jo? Pra është një situatë shumë komplekse. Nuk mendoj se është e pazgjidhshme, por ka ekzistuar një hezitim i thellë për t’u përballur drejtpërdrejt me të.”























