Gola në Kopenhagë: Rezilienca demokratike ndërtohet mbi besim dhe dialog
BKT
Lajme

Gola në Kopenhagë: Rezilienca demokratike ndërtohet mbi besim dhe dialog

Valbona Thaçi / RTKLive

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të BE-së në Kopenhagë, ku foli për sfidat e demokracisë në kohën e ndryshimeve teknologjike dhe rritjes së dezinformimit, duke theksuar rëndësinë e besimit në institucione dhe forcimit të reziliencës demokratike.

Në fjalën e tij, nënkryetari Gola tha se rezilienca demokratike sot nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen, por edhe me kredibilitetin dhe se ky i fundit fillon me besimin. Në këtë drejtim, ai solli në vëmendje mendimin e Jurgen Habermas, duke theksuar se legjitimiteti demokratik nuk mbështetet vetëm mbi institucionet, por edhe mbi cilësinë e arsyetimit publik që i mban ato gjallë. Sipas tij, demokracia deliberative tregon se besimi ndërtohet përmes dialogut të hapur, racional dhe gjithëpërfshirës në sferën publike.

Gola theksoi se për udhëheqësit parlamentarë kjo nënkupton që rezilienca nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e strukturave demokratike, por edhe me kultivimin e një kulture politike ku argumentet mbizotërojnë mbi manipulimin dhe ku qytetarët e gjejnë veten në vendimet që merren në emër të tyre.

Ai shtoi se në rajon po përballen me sfida të përbashkëta si dezinformimi, ndryshimet teknologjike dhe rënia e besimit në institucionet publike, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në legjitimitetin e punës institucionale dhe në besimin e qytetarëve në demokracinë përfaqësuese.

Duke folur për Kosovën, Gola tha se rezilienca demokratike është e lidhur ngushtë me rrugën evropiane të vendit. Ai theksoi se Kosova ka bërë përparim në organizimin zgjedhor dhe në avancimin e të drejtave themelore, ndërsa vazhdon të punojë në forcimin e gjyqësorit, mediave dhe administratës publike, duke nënvizuar se reforma nuk është formalitet, por transformim.

Në fund, ai iu referua filozofit Søren Kierkegaard, duke thënë se e ardhmja nuk varet vetëm nga mënyra si e kuptojmë të kaluarën, por edhe nga zgjedhjet që bëjmë për të ecur përpara. Sipas tij, rezilienca demokratike është gjithashtu çështje zgjedhjeje dhe përkushtimi ndaj parimeve, edhe kur kjo është e vështirë.


MË SHUME NGA Lajme