AKA pranohet në SHBA nga CHEA si autoritet akreditues
BKT
Lajme

AKA pranohet në SHBA nga CHEA si autoritet akreditues

Emine Hoti/RTKlive

Agjencia e Kosovës për Akreditim është njohur zyrtarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë, një nga institucionet më prestigjioze në botë për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.

Bordi i drejtorëve të CHEA ka vendosur që AKA të pranohet me statusin e “autoritetit akreditues” për një periudhë shtatëvjeçare, deri më 31 dhjetor 2033. 

Në njoftimin drejtuar drejtorit të përgjithshëm të AKA-së, Naim Gashi, zëvendëspresidentja e CHEA-s, Loretta C. Waldron, theksoi se bordi ka miratuar rekomandimin për njohjen e AKA-së si autoritet akreditues në SHBA.

Ky sukses konsiderohet si rezultat i reformave të vazhdueshme, rritjes së transparencës dhe përkushtimit për cilësi në arsimin e lartë.

"Ky vendim vjen si rezultat i një procesi të gjerë dhe të kujdesshëm vlerësimi dhe përbën një dëshmi të qartë të reformave të ndërmarra, profesionalizmit institucional dhe përkushtimit të vazhdueshëm të AKA-së për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë", thuhet në njoftimin e lëshuar  nga AKA-ja.

Me këtë vendim, Kosova bëhet aktualisht vendi i parë dhe i vetëm në Evropë që gëzon këtë status në Shtetet e Bashkuara. 

Njohja nga CHEA pritet të forcojë kredibilitetin ndërkombëtar të diplomave nga Kosova dhe të hapë më shumë mundësi për studentët në aspektin e mobilitetit akademik dhe vazhdimit të studimeve jashtë vendit.

Për institucionet e arsimit të lartë në vend, ky zhvillim shihet si një mundësi për të thelluar bashkëpunimin me universitete ndërkombëtare, veçanërisht në SHBA, si dhe për të avancuar më tej standardet akademike.

"Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi, së bashku me drejtorin Gashi, kanë shprehur mirënjohje për partnerët amerikanë dhe të gjithë akterët vendorë që kontribuuan në këtë arritje", thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se ky është një moment krenarie për Kosovën dhe një hap i madh përpara për sistemin e arsimit të lartë në vend.


MË SHUME NGA Lajme