Man City-Foden, nisin negociatat për kontratën e re
Fatmir Bytyqi/RTKLive
E ardhmja e Phil Foden te Manchester City pritet të jetë në qendër të vëmendjes në javët e ardhshme, pasi lojtari do të hyjë në bisedime për rinovimin e kontratës.
Forma e anglezit ka rënë ndjeshëm, me sulmuesin që nuk ka shënuar asnjë gol në 24 paraqitjet e fundit. Pas një periudhe të mirë para festave të fundvitit, sezoni i tij ka pësuar rënie të dukshme, duke humbur gradualisht rolin kyç në skuadër.
Konkurrenca në ekipin e drejtuar nga Pep Guardiola është rritur ndjeshëm, sidomos pas afrimeve si Rayan Cherki, Tijjani Reijnders, Antoine Semenyo, Omar Marmoush dhe Savinho, të cilët kanë shtuar opsionet në repartin ofensiv.
Kjo situatë ka ndikuar që Foden të ketë më pak minuta dhe ndikim në lojë, ndryshe nga sezoni 2024 kur ai kishte treguar performancë të lartë.
Megjithatë, drejtuesit e Cityt nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga reprezentuesi anglez. Sipas medieve britanike, klubi është i vendosur ta mbajë lojtarin, pavarësisht interesimit në rritje nga gjigantë evropianë si Barcelona.
Bisedimet për kontratën pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Foden, në një moment kur ai kërkon të rikthejë formën dhe rolin e tij në skuadër.























