Rama: Shqipëria dënon sulmet e Iranit ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe
BKT
Shqipëri

Rama: Shqipëria dënon sulmet e Iranit ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe

Valbona Thaçi / RTKLive

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dënuar sulmet e përsëritura të Iranit ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sipas tij, këto sulme përbëjnë një akt agresioni “të paprovokuar dhe plotësisht të pajustifikueshëm kundër një shteti sovran dhe kundër paqes rajonale në vetvete”.

“Sulmet e përsëritura me raketa nga Shteti Terrorist i Iranit kundër Emirateve të Bashkuara Arabe përbëjnë një akt agresioni të pamatur, të paprovokuar dhe plotësisht të pajustifikueshëm kundër një shteti sovran dhe kundër paqes rajonale në vetvete. Emiratet e Bashkuara Arabe u përballën sërish sot me sulme me raketa dhe dronë. Ne, Shqipëria, i dënojmë me termat më të ashpër të mundshëm këtë sulm terrorist nga një regjim që vazhdon të eksportojë dhunë, paqëndrueshmëri dhe pasiguri përtej kufijve të tij”, shkruan Rama në rrjetin ‘X’.

Më tej, ai thekson se sulmi ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe nuk është vetëm kundër një shteti, por edhe kundër vetë mundësisë së paqes dhe sigurisë në Gjirin Persik.

“Të sulmosh Emiratet e Bashkuara Arabe – një vend që përfaqëson paqen, përparimin, stabilitetin dhe partneritetin përtej feve, racave, gjuhëve dhe rajoneve – nuk është vetëm një sulm ndaj një shteti, por një sulm ndaj vetë mundësisë së paqes dhe sigurisë në Gjirin Persik dhe shumë përtej tij. Solidariteti i plotë dhe i pakushtëzuar është me udhëheqjen, popullin dhe forcat mbrojtëse të Emirateve të Bashkuara Arabe”, shprehet ai.

Rama shton se ata që synojnë të terrorizojnë kombet e lira me raketa dhe taktika frikësimi duhet të kuptojnë se veprime të tilla vetëm sa e thellojnë izolimin e tyre dhe forcojnë vendosmërinë e atyre që mbrojnë sovranitetin, sigurinë dhe paqen globale.

Ai thekson gjithashtu se “Irani duhet të mbajë përgjegjësi të plotë për këtë eskalim të rrezikshëm. Para së gjithash, për hir të popullit të tij, i cili mbetet peng i një regjimi që qeveris me instinkte të kohës së gurit, duke e tërhequr një komb të lashtë gjithnjë e më thellë në izolim, terror dhe vetëshkatërrim”.


MË SHUME NGA Shqipëri