Bardhyl Hasanpapaj i bashkohet listës së Vjosa Osmanit
GK/RTKlive
Profesor i Universitetit të Prishtinës, Bardhyl Hasanpapaj, i është bashkuar listës së Vjosa Osmani. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ish presidentja Osmani përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë edhe kujtime nga njohja e tyre që nga koha e studimeve.
“Jam e lumtur që edhe sot kemi pranë njerëz si Bardhyl Hasanpapaj, që me dije, integritet dhe përkushtim i japin forcë vizionit tonë për të ardhmen”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka kujtuar se bashkëpunimi i tyre nisi në vitin 2001, kur përfaqësonin Universitetin e Prishtinës në gara ndërkombëtare të drejtësisë.
Sipas Osmanit, Hasanpapaj ka kryer specializime në të Drejtën Evropiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Bremenit në Gjermani, ndërsa studimet e doktoraturës i ka përfunduar në Universitetin e Firenzes në Itali. Ajo ka përmendur edhe angazhimin e tij profesional në projekte për organizata ndërkombëtare si BE, USAID, NDI, NCSC, IFC dhe EBRD.
“Përkundër të gjitha arritjeve, Bardhyli ka mbetur njeri i thjeshtë, mik i mirë dhe profesionist që nuk u largua kurrë nga dëshira për t’i dhënë Kosovës më shumë”, ka theksuar Osmani.























