Bajrami takon Sorensenin, kërkon zbatim të plotë të marrëveshjeve
Valbona Thaçi / RTKLive
Kryenegociatori i Republikës së Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Agron Bajrami, është takuar të mërkurën me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në takim janë diskutuar hapat e ardhshëm në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Bajrami ka theksuar se Kosova mbetet e vendosur që procesi i dialogut të përmbyllet me njohje reciproke mes dy shteteve, duke e cilësuar këtë si rrugë për integrimin e plotë të Kosovës dhe rajonit në Bashkimin Evropian.
Ai ka deklaruar gjithashtu se Kosova do të vazhdojë të jetë konstruktive në dialog, ndërsa ka kërkuar shtim të presionit ndaj Serbisë për përmbushjen e obligimeve të marra ndër vite në kuadër të procesit.
Sipas tij, këto obligime përfshijnë edhe integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, NATO dhe OKB-ja.
Duke folur për hapat e ardhshëm në dialog, Bajrami ka ritheksuar se Kosova kërkon zbatim të plotë dhe jo-selektiv të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, përfshirë respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës nga Serbia.
Ai ka thënë se progresi i mëtejshëm në proces lidhet edhe me llogaridhënien për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, duke kërkuar dorëzimin e Milan Radojiqit dhe grupit të tij për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë.























